75 Mall Live Search
18:37 / E Shtunë, 25 Tetor 2025 / BA

GO Travel sjell platformën ndërkombëtare Tryp.com në Kosovë dhe Ballkan

Platforma ndërkombëtare e udhëtimeve Tryp.com, e njohur për integrimin e inteligjencës artificiale (AI) në planifikimin e udhëtimeve, ka zyrtarizuar sot hyrjen e saj në tregun e Kosovës dhe Ballkanit, përmes një partneriteti strategjik me kompaninë vendore GO Travel.

Ky bashkëpunim shënon krijimin e një venture të përbashkët, përmes së cilës GO Travel bëhet bashkëpronare e markës Tryp.com për të gjithë rajonin e Ballkanit, duke marrë përsipër lançimin dhe zhvillimin e saj në tregjet lokale. Kjo platformë ka 4 milion përdorues nga vende të ndryshme të botës.

Endrit Haxhija, CEO i GO Travel, gjatë ceremonisë së nënshkrimit, tha se ky bashkëpunim do të sjellë inovacionin në Kosovë dhe Ballkan.

“Jemi krenarë që po e sjellim një platformë inovative si Tryp.com në Kosovë dhe gjithë Ballkanin. Ky partneritet shënon një hap të madh për dixhitalizimin e udhëtimeve në rajon — ku teknologjia dhe përvoja lokale bashkohen për t’i ofruar udhëtarëve një mënyrë krejtësisht të re për të udhëtuar më zgjuar, më shpejt dhe më lirë”, tha ai.

Ndërsa, André Rangel, CEO i Tryp.com, në ceremoninë e zyrtarizimit të bashkëpunimit tha se ka kënaqësi të lançojë platformën në Prishtinë, duke mbetur i mahnitur nga vizita në Kosovë.  

“Jemi të entuziazmuar që po lançojmë zyrtarisht Tryp.com në Kosovë, në partneritet me GO Travel. Përmes kësaj marrëveshjeje, po sjellim përvojën tonë ndërkombëtare dhe teknologjinë e avancuar në një treg plot energji dhe potencial. Ekipi ynë nga Danimarka pati kënaqësinë të vizitojë Prishtinën për këtë rast dhe u mahnit nga dinamika, rinia dhe dëshira e njerëzve për të udhëtuar. Prishtina është një qytet plot jetë, dhe Tryp.com është këtu për t’u ofruar të rinjve mënyrën më të mirë për të eksploruar botën,” tha ai.

Teknologji inovative që po ndryshon mënyrën e udhëtimit

Tryp.com është një platformë daneze që përdor inteligjencën artificiale për të ndihmuar përdoruesit të planifikojnë dhe rezervojnë udhëtime shumëqytetëshe me vetëm disa klikime.
Platforma ofron:

  • planifikim automatik të udhëtimit,
  • check-in të automatizuar,
  • kombinim të transportit dhe akomodimit në një vend të vetëm,
  • dhe zbritje ekskluzive për udhëtarët që kërkojnë mënyra të zgjuara për të eksploruar botën.

Ky lançim do t’u mundësojë përdoruesve në gjithë Ballkanin qasje në përmbajtje ekskluzive, oferta të veçanta, dhe përfitime unike që deri tani kanë qenë të kufizuara në tregjet perëndimore.

Një hap përpara për udhëtimet e zgjuara në Ballkan

Ky partneritet shënon një moment të rëndësishëm për industrinë e udhëtimeve në rajon, duke e pozicionuar Kosovën si qendër të inovacionit në turizmin dixhital.

Me teknologjinë e integruar të AI-së, Tryp.com bëhet platforma e parë në Ballkan që automatizon të gjithë procesin e udhëtimit nga planifikimi deri te përvoja e udhëtarit.