75 Mall Live Search
13:41 / E Shtunë, 27 Dhjetor 2025 / Gj Sh

”GOAL” publikon TOP 10 favoritët aktual për Topin e Artë 2026

Portali i njohur sportiv “Goal” ka publikuar renditjen e përditësuar të kandidatëve kryesorë për fitimin e Topit të Artë 2026, duke nxjerrë në pah lojtarët që po shkëlqejnë më së shumti në sezonin aktual me klubet dhe kombëtaret e tyre.

Në krye të listës ndodhet Harry Kane, i cili po kalon një sezon të jashtëzakonshëm dhe shihet si favorit për momentin, shkruan IndeksOnline.

Pas tij renditet Erling Haaland, sulmuesi norvegjez që vazhdon të jetë vendimtar me golat e tij, ndërsa vendin e tretë e mban Kylian Mbappé, një nga yjet më të mëdhenj të futbollit botëror.

Surpriza pozitive e kësaj renditjeje është Lamine Yamal, talenti i ri i Barcelonës, i cili në moshë shumë të re ka arritur të futet mes katër më të mirëve.

Në top-5 përfshihet edhe Declan Rice, i cili po vlerësohet për ndikimin e madh në mesfushë.

Lista vijon me Vitinha, Michael Olise dhe Luis Díaz, lojtarë që po bëjnë paraqitje të qëndrueshme dhe po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje.

Në vendin e nëntë renditet legjenda Lionel Messi, i cili edhe pse në fazën e fundit të karrierës, vazhdon të jetë pjesë e garës për çmimin prestigjioz.

Top-10 mbyllet nga Achraf Hakimi, një nga mbrojtësit më të kompletuar në futbollin modern.

Renditja e publikuar nga “Goal” është paraprake dhe pritet të ndryshojë në varësi të ecurisë së sezonit, rezultateve në Ligën e Kampionëve dhe performancave në arenën ndërkombëtare.

Gara për Topin e Artë 2026 mbetet e hapur dhe shumë emra pritet të luftojnë deri në fund për çmimin individual më prestigjioz në futboll./IndeksOnline/