14:14 / E Mërkurë, 15 Korrik 2020 / indeksADMonline

Goditet rëndë FFK-ja, UEFA-ja kërkon nga Agim Ademi që të japë dorëheqjen

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka pranuar një letër nga organi më i lartë i futbollit europian UEFA, ku është kërkuar që presidenti i Federatës, Agim Ademi, të japë dorëheqjen pas vendimit të gjykatës në lidhje me veprat kriminale dhe joligjore. 

Burime të Metros brenda UEFA-së, tregojnë se FFK-ja ka pranuar një letër nga ky institucion ku kërkohet dorëheqja e Agim Ademit, pas vendimeve të gjykatave lidhur me dënimet për vepra kriminale dhe joligjore.

Ajo që dihet deri tani si reaksion i kësaj, është se grupet e interesit brenda FFK-së, janë duke përgatitur kandidaturën e sekretarit Eroll Salihu për zëvendësim të Ademit.

Madje edhe Eroll Salihu në një intervistë televizive e ka pranuar se do të kandidojë për kryetar, derisa dje ka thënë se këtë javë do të zgjidhet kjo çështje.

Kujtojmë se Agim Ademi është dënuar me nëntë muaj burgim efektiv për kërcënim dhe sulm ndaj Dritëro Kadollit, duke e detyruar atë të bënte veprime në dëm të pasurisë së tij, me saktë të bënte përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 eurosh, apo një veturë të tipit “BMW X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje.

Dy vjet nga dënimi i Agim Ademit duket se UEFA-së i ka humbur durimi. Situata në FFK ishte toleruar deri tani me kryetar të dënuar vetëm për faktin se Kosova është federatë e re dhe futbollistët e saj kanë krijuar imazh pozitiv, që në asnjë rast nuk duhet të cenohet nga një kryetar i dënuar për vepër penale.