75 Mall Live Search
21:37 / E Hënë, 10 Nëntor 2025 / BA

Goditi me grushte anëtarin e këshillit bashkiak, arrestohet 27-vjeçari në Pogradec

Policia e Pogradecit ka arrestuar shtetasin Kevi Muçllari, i cili pasditen e së hënës u përfshi në një konfrontim fizik me një anëtar të këshillit bashkiak të këtij qytetit gjatë zhvillimit të mbledhjes.

27-vjeçari u vu në pranga për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës.

“Më datë 10.11.2025, rreth orës 14:25, në ambientet e Bashkisë Pogradec, gjatë zhvillimit të një mbledhjeje nga Këshilli Bashkiak me prezencën e qytetarëve, ky shtetas fillimisht ka debatuar dhe ofenduar anëtarët e Këshillit Bashkiak, dhe më pas ka ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasit E. Sh., 47 vjeç, anëtar i Këshillit Bashkiak, duke e goditur me grusht”, bëri me dije policia.

Konflikti nisi pas votimit nga këshilli bashkiak i pikës 6 për “miratimin e listës së sipërfaqes së tokës prej 34.660 ha në Çërravë që mund të jepen me qira”.

Pas debateve të shumta, këshilltarët miratuan me 20 vota pro këtë vendim, çka solli edhe agravim deri në dhunë fizike. Pas kundërshtimeve të banorëve direkt pas vendimit të marrë, njëri prej këshilltarëve Ëngjëll Shyti është ngritur nga tavolina dhe është konfrontuar fizikisht me Kevi Muçllarin, një prej banorëve të Çërravës.

Banorët e Çërravës kanë shprehur pakënaqësi ndaj vendimit, duke e konsideruar atë cenim të interesave të tyre dhe kanë paralajmëruar për përshkallëzim të protestave nëse nuk rishikohet.