75 Mall Live Search
11:43 / E Hënë, 17 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

“Golden Boy” flet pas triumfit: Nuk më besohet, e ka fituar edhe Leo Messi

Matthijs De Ligt është “Golden Boy” i 16-të i “Tuttosport” dhe i historisë së futbollit.

19-vjeçari i Ajax dhe i kombëtares holandeze e ka fituar këtë çmim e 75 pikë karshi rivalit më të madh të tij, Alexander Arnold të Liverpool.

Ky është vendimi i jurisë autoritative ndërkombëtare i gazetës torineze, e përbërë nga 35 gazetarë nga gazetat më prestigjioze europiane, që përfaqësojnë 20 vende.

De Ligt ka dhënë një intervistë të gjatë ekskluzive për “Tuttosport”, një pjesë të të cilës po e zbardhim më poshtë.

Matthijs, ju fituat “Golden Boy 2018”, si lojtari më i mirë U-21 i vitit në Europë. Cili është reagimi juaj i parë?
Jam shumë i lumtur dhe gjithashtu shumë krenar që e kam fituar këtë trofe. Sidomos, nëse shikoj lojtarët që e kanë fituar më parë. Më duket pothuajse e pabesueshme që ta shoh veten në një listë me emra si Pogba, Mbappé, Messi dhe Van der Vaart. Diçka e madhe.

Kush ju njoftoi se e keni fituar çmimin “Golden Boy” dhe kujt doni t’ia dedikoni atë?
E mora vesh nga agjenti im Mino Raiola, por edhe Ajax më informoi. Nuk kam asnjë person të veçantë, për t’ia dedikuar këtë çmim. Por, kam mjaft njerëz të afërt, që e dinë se kanë qenë shumë të dobishëm për karrierën time. Ky çmim është, gjithashtu, për ta.

A i keni parë ata që janë shpallur “Golden Boy”? Midis fituesve të mëparshëm ka disa lojtarë, që e vlerësojnë veçanërisht…
Natyrisht, e kontrollova listën e fituesve të mëparshëm. Të jem i sinqertë, e vlerësoj shumë. Ka vetëm emra shumë të mëdhenj në listë, por nëse më duhet të përmend një, Messi është më i miri për mua. Gjithkush e njeh atë dhe e di se çfarë ka bërë në futboll. Më pëlqen vërtet si lojtar. Kështu që jam shumë krenar, që kam fituar trofeun e njëjtë si ai. Messi e ka ngritur këtë çmim para meje, trembëdhjetë vjet më parë, kur isha vetëm gjashtë vjeç.

Ju jeni mbrojtësi i parë ndonjëherë, që e fitoni çmimin “Golden Boy”. Në 15 edicionet e mëparshme kanë triumfuar vetëm sulmues dhe mesfushorë. Çfarë do të thotë kjo për ju?
Jam shumë i kënaqur, që jam mbrojtësi i pare, që e fitoj këtë çmim. Dhe, duke e ditur se deri tani vetëm sulmuesit dhe mesfushorët kishin fituar, kjo më jep një ndjesi edhe më të veçantë. Kjo me të vërtetë do të thotë shumë për mua, sepse vij nga një rol tjetër.