Gonzalo Montiel heroi i finaleve të mëdha

Sevilla ka arritur ta fitojë trofeun e shtatë të Europa League, ku në finale mposhti Romën pas ekzekutimit të penalltive me rezultat 4-1.
Ndeshja e rregullt përfundoi me barazim 1-1, e që nuk kishte fitues as pas vazhdimeve dy herë nga 15-tê minuta, shkruan IndeksOnline.
Në gjuajtjet e penalltive futbollistët e Sevillas u treguan më të saktë, duke shënuar të gjitha penalltitë që ishin 4 në total, ndërsa Roma shënoi një nga tre penallti.
Ocampos, Lamela, Raketic dhe Montiel u treguan të saktë për skuadrën spanjolle, kurse për italianët shënoi vetëm Cristante, derisa Mancini e Roger Ibanez, gabuan penalltitë, gjuajtjet e tyre u pritën nga portieri Bono.
Por vëmendjen kryesore e morri pikërisht penalltia e Gonzalo Montielit, pasi ishte edhe vendimtarja e ndeshjes, duke ia sjellë Sevillas trofeun e shtatë të Europa League.
Montiel po shihet si një hero i finaleve të mëdha, pasi disa muaj më parë ai shënoi penalltinë vendimtare për kombëtaren e Argjentinës në ndeshjen ndaj Francës, duke e fituar Kupën e Botës e cila u mbajt në Katar./IndeksOnline/