75 Mall Live Search
16:46 / E Martë, 11 Nëntor 2025 / MSH

Google investon miliardat në infrastrukturën digjitale në Gjermani

Gjiganti teknologjik Google, pjesë e grupit Alphabet ka njoftuar se do të investojë rreth 5.5 miliardë euro në Gjermani gjatë viteve të ardhshme, si pjesë e strategjisë për të zgjeruar infrastrukturën dhe kapacitetet e qendrave të të dhënave në ekonominë më të madhe të Evropës.

Sipas informacionit të bërë publik përpara një konference për shtyp në Berlin, planet e kompanisë përfshijnë ndërtimin e një qendre të re të të dhënave në Dietzenbach, afër Frankfurtit, një nga qendrat më të rëndësishme financiare dhe teknologjike të vendit.

Ky investim është pjesë e përpjekjeve të Google për të përforcuar praninë e saj në tregun evropian të shërbimeve “cloud”, duke ofruar kapacitete më të mëdha për bizneset dhe institucionet publike që kërkojnë zgjidhje të sigurta dhe të qëndrueshme për ruajtjen e të dhënave.