09:01 / E Martë, 09 Tetor 2018 / indeksADMonline

Google ka ekspozuar të dhënat personale të 500 mijë përdoruesve

Sipas WSJ kompania i frikësohej autoriteteve rregullatore dhe besonte se zbulimi i kësaj ngjarjeje do ta vendoste në kushtet e vështira që Facebook kaloi me skandalin Cambridge Analytica.

Gjigandi i motorit të kërkimit Google lajmëroi ditën e sotme se të paktën 500,000 llogari në Google+ janë kompromentuar.

Google gjithashtu tha se ka vendosur të mbyllë rrjetin social.

Wall Street Journal ishte i pari që raportoi këtë ngjarje duke thënë se Google kishte vendosur ta mbante të fshehtë nga frika e autoriteteve rregullatore.

Thuhet se një keqfunksionim i një softueri në rrjetin social u kishte dhënë zhvilluesve të jashtëm akses në të dhëna private në Google+ gjatë periudhës Janar 2015 deri në Mars të 2018-ës kur ekspertë të brendshëm të kompanisë identifikuar problemin.

Menjëherë pas raportit dhe konfirmimit nga ana e Google, aksionet e kompanisë ranë me 2.6%.

Të dhënat e kompromentuara janë: emra, adresa e-mail, mosha, gjinia dhe profesioni.

“Nuk kemi gjetur prova të cilat tregojnë se zhvilluesit kanë qenë në dijeni të ekzistencës së këtij problemi,” tha Google.

Wall Street Journal raportoi sot një memo të shpërndarë në mesin e drejtuesve të lartë të kompanisë të cilët kërkonin të mbanin të fshehtë ngjarjen.

Sipas WSJ kompania i frikësohej autoriteteve rregullatore dhe besonte se zbulimi i kësaj ngjarjeje do ta vendoste në kushtet e vështira që Facebook kaloi me skandalin Cambridge Analytica.

Publikimi i këtij skandali i kushtoi rrjetit social aksionet e të cilit ranë me shpejtësi.

Të dhënat e 87 milion përdoruesve ishin keqpërdorur gjatë fushatës së Donald Trump për president të Shteteve të Bashkuara.

Shefi ekzekutiv Sundar Pichai ka qenë në dijeni të planit për të mbajtur të fshehtë ngjarjen thotë WSJ.

Ishte një grup prej mëse 100 inxhinierësh me emrin e koduar “Project Strobe” të cilët prej muajsh kanë nisur një audit gjithëpërfshirës për API-të e kompanisë.

Zbulimi i problemit me Google+ ishte pjesë e auditit të Strobe.

Google beson se 438 aplikacione nga zhvillues të jashtëm kanë pasur akses në të dhënat e përdoruesve të Google+. /PCWorld Albanian