Grabitja e armatosur në pompën e derivateve, policia kap të dyshuarin pas një kohe të gjatë

Një shtetas i Shqipërisë është arrestuar të mërkurën në pikën e kalimit kufitar në Vermicë, pasi i njëjti dyshohet se në tetor të vitit 2019, së bashku me një të dyshuar tjetër, kishin kryer grabitjen e armatosur në një pompë derivatesh në Polac të Skenderajt.
Burimet e IndeksOnline brenda policisë kanë thënë se pas hetimeve intensive ishte bërë identifikimi i të dyshuarve dhe ndaj të njëjtëve është lëshuar urdhërarrest.
Punëtori i pompës u kishte thënë policisë se derisa kishte qenë duke punuar rojtar, dy persona të maskuar dhe të armatosur, pas mesnate, ishin futur në lokal dhe duke shkrepur armën e zjarrit kanë arritur që të grabisin para të gatshme.
Policia me të pranuar informatën kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe aty kishte gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë të kalibrit 6 mm.
Ndonëse ishte përdorur arma nuk ishte raportuar për persona të lënduar. Të dyshuarit pasi kishin kryer grabitjen ishin larguar në drejtim të panjohur me një veturë pa targa.
Lidhur me arrestimin e të dyshuarit është njoftuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i njëjti të dërgohet në qendrën e ndalimit deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë./IndeksOnline/