75 Mall Live Search
21:31 / E Mërkurë, 30 Janar 2019 / indeksADMonline

Grabitja e armatosur ricilësohet si detyrim, i dëmtuari nuk pajtohet me vendimin e Apelit

Bastri Kryeziu nga Prizreni, po pretendon se Gjykata e Apelit i ka bërë padrejtësi kur për veprën penale grabitje, Vullnet Hoxhajt ia zvogëloi dënimin nga 3 vjet burg sa ishte dënuar në shkallën e parë në 1 vit e gjysmë.

Kjo gjykatë dje ka vendosur qe veprën penale grabitje dhe armë pa leje ta ricilësojë si vepër penale të detyrimit.

Me 14 nëntor të vitit 2015, Kryeziu ishte kërcënuar e grabitur nga i akuzuari V.H nga fshati Zhur i Prizrenit, me ç’rast i ishin marrë me forcë 2 mijë e 500 euro. Po të njëjtën ditë, policia arri të kap V.H, ku këtë të fundit, Gjykata e shpalli fajtor.

Gjykata Themelore në Prizren me 12 janar të vitit të kaluar për veprën penale të grabitjes dhe armë mbajtje ilegale e ka dëbnuar me 3 vjet burg dhe me gjobë 3300 euro. Mirëpo, pas ankesës së palëve, me 7 qershor të 2018-ës, Apeli e kishte ndryshuar veprën penale të grabitjes, duke e ricilësuar si vepër penale e detyrimit, duke i shqiptuar Hoxhajt dënim prej dy vjet burg e 2500 euro gjobë.

Vendimi i shkallës së parë

Por, avokatja e këtij të fundit, Myrvete Qollakut kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, ku lënda ishte rikthyer në rivendosje.

“Me 12.11.2018, Gjykata Supreme e Kosovës si instancë më e lartë, e ka kthyer këtë çështje në rivendosje në Gjykatën e Apelit të Kosovës, sipas Kërkesës për Mbrojtjen e Ligjshmërisë”, thuhet në përgjigjën e gjykatës për Indeksonline.

Pas kthimit në rivendosje nga Gjykata Supreme, ajo e Apelit ka marrë vendimin që veprën penale të grabitjes ta ricilësoj në vepër të detyrimit, ku dënimi i Hoxhajt është më i ulët, me një vit e gjashtë muaj më pak në krahasim me vendimin e Gjykatës së Prizrenit.

Sipas Kryeziut, grabitja që ishte bërë atij është vlerësuar me një dënim unik prej as dy vitesh.

Ai po pretendon se qëllimisht po dëmtohet, pasi për rastin grabitje të armatosur është zvogëluar dënimi.

“Unë po dëmtona më së shumti. Ka qenë grabitje me armë, me forcë mi ka marrë 2.500 euro dhe nuk e mori dënimin e merituar. Madje tash iu minimizua dënimi. Unë kam dërguar edhe CD, ku është e regjistruar biseda se si djali i axhës së V.H ka thënë se do t’i ofrojë para vetëm lë ta tërheq akuzën. Tash pas disa herë që u rikthy në rivendosje, Gjykata mori vendim që t’i zvogëlohet dënimi. Askund në botë nuk ndodh kjo, që të grabitesh dhe të posedosh armë pa lejë dhe të marrësh një dënim kaq të ulët. Nuk e di pse kjo ndodh, kur unë jam i dëmtuari. Po mendoj se i V.H ka lidhje me prokurorin e rastit”, ka thënë ai mes të tjerash për Indeksonline.

Edhe avokati i tij, Nexhat Elshani pohon se ndaj klientit të tij janë bërë shkelje si palë e dëmtuar, pasi ndaj tij është kryer grabitje e armatosur, vepër kjo që ish dashur të dënohej sipas ligjeve në fuqi më shumë se tri vjet.

“Nuk ka logjikë që një vjedhje e armatosur të dënohet më pak se tri vjet. Në bazë të gjendjes faktike, bazuar në shkresat e lëndës, direkt është fjala për vepër penale të grabitjes e kurrsesi detyrimi. Nuk e kuptoj se në çfarë baza është ricilësuar”, ka thënë Elshani.

Ai ka paralajmëruar se do të bëjnë kërkesë për vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Apelit.

Sipas nenit 329 të Kodit Penal për veprën grabitje thuhet se kushdo që me përdorim të forcës apo kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër, e përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë me qëllim që t’i sjellë vetes apo personit tjetër dobi pasurore të kundërligjshme, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet./Indeksonline/