Grabitja në Luvër: Arrestohen edhe katër persona
Autoritetet franceze kanë arrestuar katër persona të tjerë lidhur me grabitjen spektakolare të 19 tetorit, ku u morën bizhuteri të kurorës me vlerë rreth 88 milionë euro nga muzeun Luvër. Të arrestuarit janë dy burra 38 dhe 39 vjeç dhe dy gra 31 dhe 40 vjeç nga rajoni i Parisit, përfshirë edhe anëtarin e fundit të dyshuar të bandës katër-anëtarëshe.
Sipas The Guardian, Le Parisien raporton se i dyshuari kryesor – me precedentë penalë dhe i lidhur me tre të arrestuarit e mëparshëm – u kap nga njësia kundër bandave dhe po përballet me akuza për vjedhje të organizuar dhe komplot kriminal.
Grabitësit përdorën një kamion të vjedhur, një shkallë të zgjatueshme dhe ashensorin e ngarkesave për të hyrë në galerinë Apollo. Ata thyen një dritare dhe dy vitrina, dhe u larguan me motoçikleta në një aksion që zgjati më pak se 7 minuta.
U vodhën tetë objekte të çmuara, përfshirë një gjerdan smeraldi e diamanti i dhuruar nga Napoleoni gruas së tij Marie Louise, si dhe një tiarë me 212 perla dhe gati 2,000 diamante. Asnjë prej tyre nuk është gjetur ende.
Analiza e ADN-së në sendet e lëna në vendngjarje çoi në arrestimet e para, ndërsa një i dyshuar i pestë akuzohet se ka ndihmuar bandën, shkruan The guardian.
Auditorët shtetërorë francezë e kanë cilësuar këtë grabitje si një “alarm shurdhues” për mungesën e sigurisë në muzeun më të vizituar në botë. Muzeu ka pranuar “shumicën” e kritikave për dobësitë strukturore në sistemin e tij të sigurisë.

