Grabitja në Rinas, më 2019, dënohet me 18 vjet burgim Talo Çela

GJKKO-ja ka dënuar me 18 vjet burgim Talo Çelën për grabitjen e 4.5 milionë eurove në Aeroportin e Rinasit.
Ngjarja ndodhi, më 9 prill të vitit 2019. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kishte kërkuar 19 vjet burgim për Talo Çelën, ndërsa GJKKO-ja, ka marrë vendimin për dënimin me 18 vjet.
Aktualisht Talo Çela ndodhet në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe gjykimi për të u bë në mungesë dhe i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.
Ai u shpall në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i artë”, që çoi në kapjen e Nuredin Dumanit, Henrik Hoxhajt si edhe të disa personave të tjerë, pjesë e botës së krimit.
Për ngjarjen e 2019, GJKKO-ja në tetor të vitit të shkuar dënoi me 122 vjet burg 7 të pandehurit e grupit kriminal.
Klement Çala u dënua me 20 vjet, ndërsa gjashtë të tjerët Oltion Veseli, Renaldo Sulaj, Saimir Cela, Oltion Pikli, Alkon Bengasi dhe Eldi Çala me 17 vjet burgim.
Të dënuarit po e vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.