75 Mall Live Search
22:45 / E Martë, 05 Mars 2019 / indeksADMonline

Grabitje e armatosur në një market në Prishtinë

Një market në lagjen Ulpiana në Prishtinë është grabitur me armë zjarri.

Një person i maskuar, nën kërcënimin e armës ka grabitur para të gatshme nga arka e marketit.

Pasi kanë pranuar informatën, rastit i janë përgjigjur njësitë relevante policore.

Rastin për Indeksonline  e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i cili ka dhënë detaje lidhur me grabitjen.

“Rreth orës 21:45 në Ulpianë-Prishtinë kemi pranuar informatë se në një market ka ndodhur një grabitje me armë zjarrit. Sipas ankuesit derisa ai kishte qenë në arkë, një person i maskuar me armë të shkurtë zjarri kishte hyrë në market. Nën kërcënimin e armës, nga arka ai kishte grabitur para të gatshme dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes”, ka thënë Hoxha.

Ai ka treguar se personi i dyshuar kishte pasur veshur rroba të zeza,  maskë, kapelë dhe doreza.

Lidhur me rastin nuk raportohet ndonjë person i lënduar, por që një punëtore femër është shqetësuar ku edhe është thirrur ndihma e parë.

Policia është në proces të marrjes se informacioneve dhe hetimit intensiv  të rastit./Indeksonline/