16:01 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Grabitjet në Prishtinë, arrestohen dy persona

Njësitet policore të rajonit të Prishtinës në kuadër të intensifikimit të masave të marra në drejtim të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, si dhe goditjes së individëve dhe grupeve kriminale, kanë organizuar punën e tyre me fokus të veçantë zbardhjen e veprave kriminale, identifikim dhe arrestimin e të dyshuarve të implikuar në ngjarjet kriminale.

Hetuesit e rajonit të Prishtinës i kanë dhënë përparësi luftës kundër kriminalitetit dhe veçanërisht disa shqetësimeve që kohët e fundit ka pasur komuniteti në lidhje me rastet e grabitjeve të ndodhura, (në markete, pompa derivatesh, institucione mikrofinanciare, etj.) në zona të ndryshme të rajonit të Prishtinës.

Hetuesit rajonal në bashkëpunim me hetuesit e stacioneve policore të rajonit të Prishtinës, janë në vazhdimësi të operacioneve për kapjen e të dyshuarve për rastet e grabitjeve.

Një nga këto operacione të organizuara mirë, në drejtim të kapjes së personave, për të cilët dyshohej me bazë të jenë të përfshirë në disa raste të grabitjeve ka rezultuar me arrestimin e dy personave të dyshuar. Gjithashtu lidhur me rastet e njëjta hetuesit kanë arrit të identifikojnë edhe dy persona të tjerë të dyshuar që aktualisht ndodhen në arrati.

Personave të dyshuar u është konfiskuar: një veturë e tipit Shkoda, pa targa, (dyshohet të jetë përdorur në njërin nga rastet).

Pjesë e operacionit ka qenë edhe bastisja e shtëpive të të dyshuarve, ku policia ka arrit të gjej dhe konfiskoj: Telefona celular si dhe disa dëshmi të tjera që mund të lidhen me rastet.

Personat e dyshuar: R. C, mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A. M, mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, me urdhër të prokurorit pas intervistimit janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prishtinë, ku aktualisht hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastet në fjalë para se rastet t’i kalojnë gjykatës./Indeksonline/