75 Mall Live Search
15:58 / E Shtunë, 28 Mars 2026 / Gj Sh

Granit Begolli: Presioni mbi Turqinë, Kosova me zemër dhe karakter për kualifikim

Intervistë e realizuar nga gazetari, Gjelbrim Shabani

Trajneri dhe analisti Granit Begolli, ka folur për sfidën vendimtare të Kosovës.

Në një intervistë për IndeksOnline, Begolli ka komentuar fitoren ndaj Sllovakisë dhe finalen e play-offit ndaj Turqisë, ku Kosova synon kualifikimin në Kupën e Botës.

Ai tha se ”Dardanët” ndaj Sllovakisë bwn një paraqitje të jshtëzakonshme, duke treguar karakter të fortë, pasi arritën të përmbysin rezultatin dy herë gjatë ndeshjes.

”Fitore shumë e rëndësishme, pa asnjë diskutim. Ishte ndeshja më e rëndësishme për ne deri më tani dhe mendoj se kemi bërë një paraqitje jashtëzakonisht të mirë. Natyrisht, kjo na jep një shtysë edhe më të madhe për finalen me Turqinë. Në aspektin psikologjik, kjo fitore ndikon jashtëzakonisht shumë, duke pasur parasysh se dy herë gjatë ndeshjes kemi qenë në disavantazh dhe kemi arritur ta përmbysim rezultatin. Kjo do ta ndihmojë shumë skuadrën për të arritur diçka të madhe dhe shumë të rëndësishme kundër Turqisë.”, tha fillimisht Begolli për IndeksOnline.

Trajneri i Feronikelit tha Turqia ka gjasa më të favorshme por shtoi se të dyja kombëtaret do të kenë presion në ndeshjen finale, dhe se prosioni më i madh bie mbi kombëtaren turke, pasi e kanë me çdo kusht që të kualifikohen në Botëror.

”Në ndeshje të tilla, gjasat zakonisht janë në favor të skuadrave që kanë më shumë potencial dhe mundësi për të ndryshuar formacionin. Në këtë aspekt, Turqia ka një avantazh të lehtë, por mendoj se presioni është më i madh tek ata, gjë që mund të ndikojë në lojën e tyre, duke marrë parasysh rëndësinë e ndeshjes. Pikat më të forta të Turqisë janë lojtarët e krahut në sulm – dy futbollistë të jashtëzakonshëm që bëjnë diferencën. Ndërsa dobësia më e madhe, nga sa kam vërejtur në ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë, është mungesa e një sulmuesi tipik qendre. Kjo mund të jetë një përparësi për ne, që ta shfrytëzojmë dhe të fokusohemi në mbrojtjen e krahëve, duke dyfishuar lojtarët më të rrezikshëm si Baris Yilmaz dhe Kenan Yildiz.

Mendoj se presioni do të jetë më shumë në anën e tyre, pasi ata synojnë me çdo kusht kualifikimin, duke qenë edhe favoritë. Megjithatë, në ndeshje të tilla nuk ka skuadër pa presion. Lojtarët tanë kanë arritur një nivel shumë të lartë, si me kombëtaren ashtu edhe me klubet e tyre, dhe kjo përvojë do t’i ndihmojë ta kuptojnë rëndësinë e kësaj përballjeje dhe të paraqiten në nivelin e duhur përballë një kundërshtari si Turqia, me synimin për të arritur një objektiv madhor si Kampionati Botëror.”, shtoi tutje Granit Begolli, gjatë intervistës për IndeksOnline.

Ish-futbollisti kosovar, po ashtu komentoi edhe përkrahjen e madhe të tifozëve ”dardanë” që pritet të krijojnë atmosferë të jashtëzakonshme n╒ stadiumin ”Fadil Vokrri”, dhe sa do të ndikoj kjo te futbollistët e Kosovës dhe Turqisë.

”Po flasim për një kundërshtar që zakonisht luan para 50–60 mijë spektatorëve, dhe dihet sa shumë e duan turqit futbollin. Megjithatë, të luash në fushë mysafire ka specifikat e veta. Kjo mund të jetë një përparësi për ne, pasi pritet një atmosferë e jashtëzakonshme. “Dardanët” gjithmonë e kanë mbështetur skuadrën në momentet më të vështira dhe jam i bindur se do ta bëjnë edhe këtë herë. Interesimi është shumë i madh dhe pritet që stadiumi të jetë i mbushur plot. Ne do të luftojmë për çdo top.

Tifozët do ta ndihmojnë skuadrën të japë maksimumin. Rëndësia e ndeshjes është e qartë – është një përballje që mund të vendosë për historinë tonë, duke pasur parasysh rrugëtimin që kemi kaluar. Besoj se tifozët do të japin një shembull të shkëlqyer, si gjithmonë në ndeshjet e Kosovës si vendase. Presioni i madh mund të sjellë edhe gabime në momente të caktuara, por shpresoj që mbështetja e tifozëve të shfrytëzohet si një armë shtesë për ne.”, deklaroi Begolli për IndeksOnline.

Në fund, analisti i njohur uroi që Kosova të kualifikohet në Kupën e Botës, dhe shpreson që të paraqitet ashtu si në ndeshjet e fundit, me besim, dinjitet, forcë dhe karakter.

”Uroj që Kosova të paraqitet si në ndeshjet e fundit: me besim, dinjitet, forcë dhe karakter. Jam i bindur se mund të arrijmë diçka të madhe. Nuk kemi ardhur deri këtu rastësisht apo pa meritë, prandaj shpresoj shumë që të arrijmë të kualifikohemi në Botëror.”, tha për fund Granit Begolli.

Ndeshja Kosovë – Turqi zhvillohet të marten me 31 mars, nga ora 20:45, në stadiumin ”Fadil Vokrri”, në Prishtinë./IndeksOnline/