Granit Rugova merr pozitë tek “ACES Europe”, në kuadër të Parlamentit Evropian

Drejtori i Sportit në komunën e Prishtinës, Granit Rugova, është bërë zyrtarisht anëtar i “ACES Europe”, në kuadër të Parlamentit Evropian.
Rugova, përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se mezi pret të punojë dhe ndërtojë marrëdhënie të forta ndërkombëtare, duke kontribuar në zhvillimin e sportit në kuadër të këtij roli.
“Ky angazhim erdhi si një mundësi fantastike për të dhënë kontributin tim, duke shfrytëzuar njohuritë dhe përvojën që kam për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të “ACES Europe” tha mes të tjerash Rugova.
Ky është njoftimi i plotë i tij:
Pas fitimit të çmimit “Prishtina Qytet Evropian i Sportit 2024”, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje dhe përgjegjësie, kam kënaqësinë të ju njoftoj se tani jam bërë anëtar i ACES Europe, në kuadër të Parlamentit Evropian në Bruksel.
Ky angazhim erdhi si një mundësi fantastike për të dhënë kontributin tim, duke shfrytëzuar njohuritë dhe përvojën që kam për të ndihmuar në arritjen e qëllimeve të ACES Europe.
Falënderoj sinqerisht të gjithë ata që më kanë mbështetur dhe besuar, veçanërisht Presidentin z. Gian Francesco Lupattelli, Sekretarin e Përgjithshëm z. Hugo Alonso, Nënkryetarin z. Vincenzo Lupattelli dhe anëtarin e ACES Europe z. Berislav Čižmek. Mezi pres të punoj në ndërtimin e marrëdhënieve të forta ndërkombëtare dhe të kontribuoj në zhvillimin e sportit në kuadër të këtij roli të rëndësishëm.
Prishtina, Qytet Evropian i SPORTIT