11:18 / E Martë, 28 Dhjetor 2021 / C E

Granit Xhaka i jashtëzakonshëm, çifti amerikan nuk do ta harroj kurrë dhuratën e tij

Ndeshja e parë e javës së 20-të të Premier Ligës duhet të ishte  Arsenal-Wolverhempton, i fundit takim i shtyrë prej situatës me Koronavirusin.

 Në “Emirates” do të ishin edhe dy tifozë specialë të “Topçinjve”, që fluturuan posaçërisht nga SHBA-ja për të parë heronjtë e tyre në fushë.

Lajmërimi i shtyrjes së ndeshjes mbrëmjen e së dielës erdhi shumë vonë për Xhek Robinsonin dhe gruan e tij Hedhër, ndërsa ata ishin ngjitur në bordin e avionit për të fluturuar drejt Londrës ku kishin planifikuar për të festuar 10- vjetorin e martesës së tyre.

Robinson dhe Hedhër po bëheshin gati për të fluturuar nga aeroporti i Misurit, një udhëtim që e kishin planifikuar që 6 muaj më parë kur mësuan lajmin që i tronditi.

Kjo është shumë e dhimbshme. E kisha planifikuar dhe rezervuar këtë udhëtim prej 6 muajsh. Në fillim u anulua turi veror dhe tani kjo ndeshje. Jam pa fjalë. Është përvjetori i 10-të i martesës dhe doja t’i tregoja gruas diçka speciale që ta mbajë mend përgjithmonë”, shkruante në “Twitter” Robinson.

 “Cicërima” e tij që u shpërnda me shpejtësi dhe bëri xhiron e botës, mbërriti edhe në veshët e Granit Xhakës.

Ai i shkroi direkt tifozit të “Topçinjve”, duke i bërë një dhuratë të paharrueshme në ditën e parë të vitit, kur Arsenali do të luajë me kampionët e Manchester Cityt.

Përshëndetje Xhek. Sapo u ktheva në shtëpi nga ndeshja  dhe pashë postimet e tua që po fluturoje bashkë me gruan nga SHBA-ja për të ndjekur ndeshjen tonë kundër Wolvesit. Pashë që ishe i trishtuar për shtyrjen e ndeshjes, duke qenë se kishe pritur për një kohë të gjatë për të fluturuar dhe na parë.”

Nëse do të jesh ende në Londër më 1 janar, do të kisha dëshirë të të kisha si të ftuarin tim për të ndjekur ndeshjen e Arsenalit kundër Manchester Cityt  dhe të të falënderoja për dedikimin ndaj Arsenalit. A do të ishte në rregull për ty? Graniti!”, i shkroi futbollisti shqiptar.

Xhek u lumturua tej mase nga kjo ftesë e papritur dhe falënderoi Xhakën dhe tifozët e tjerë të Arsenalit për mbështetjen e tyre. /IndeksOnline/