Gratë e reja në përgatitje të së ardhmes së tyre si udhëheqëse

Gra të reja ambicioze dhe të gatshme për të ndjekur ëndrrat e tyre profesionale mes kohësh të vështira të përballjes dhe tejkalimit të COVID-19. Avokate, hulumtuese psikologe klinike të së ardhmes, gra të cilat po përfitojnë shkathtësi profesionale në fushën e tyre të studimit, për të gjetur punësim të qëndrueshëm, përmbushur ëndrrat e tyre dhe të bëhen lidere në të ardhmen.

Donjeta Gjonbalaj po planifikon programin e aktiviteteve për fëmijët e kopshtit. Është bërë gati një muaj kur ajo ka filluar praktikën në punë në një kopsht në Prishtinë, si pjesë e Programit për praktikë në punë mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).
Si një e diplomuar rishtazi në psikologji, Donjeta sikurse shumë të rinj të tjerë u desh që të linte mënjanë planet e saj për shkak të shpërthimit të pandemisë COVID-19 në vitin 2020. Tani që asaj i është dhënë mundësia për të filluar praktikë në punë në profesionin e zgjedhur nga ajo, Donjeta është fokusuar në ndërlidhjen e njohurive akademike me aftësi profesionale dhe duke i zhvilluar së bashku në praktikë. Ajo po punon palodhur për t’u sjellë lumturi fëmijëve, posaçërisht atyre me nevoja të veçanta apo vonesa në zhvillim, duke kontribuar kështu në qëndrueshmëri në mesin e fëmijëve dhe duke ofruar kujdes për ta, duke mundësuar që nënat e tyre gjithashtu të përqendrohen në jetën e tyre profesionale.

“Investimi në shëndetin mendor të fëmijëve dhe mirëqenies se tyre është shumë i rëndësishëm dhe po aq i rëndësishëm është edhe bashkëpunimi psikolog – mësuese – prind për gjatë gjithë kohës. Fëmijët tanë janë e ardhmja jonë dhe ne duhet të sigurohemi që të ndërtojmë një të ardhme të ndritur dhe të sigurt për ta”, thotë Donjeta.
Janë 60 fëmijë të kopshtit ku Donjeta aktualisht punon. Ajo përpiqet të bëjë më të mirën çdo ditë të jetë pranë atyre që kanë më shumë nevojë për të, duke i kushtuar kujdes bashkëveprimit të tyre social dhe emocional si edhe zhvillimit të shëndetit mendor. As maska nuk e fsheh buzëqeshjen e Donjetës nga mundësia që i është ofruar si edhe kënaqësia e të punuarit me fëmijë edhe pse e pranon se është përgjegjësi e madhe për t’u kujdesur për nevojat e tyre. Por, ajo është e përkushtuar ta bëjë një gjë të tillë.

Vizioni profesional i Donjetës po merr formë ngadalë dhe sigurt si një psikologe klinike e së ardhmes, kështu që, ajo tani po investon kohën e saj për të mbledhur gjithë njohuritë dhe eksperiencën.
“Nevoja për psikolog klinik në Kosovë është e një rëndësie imediate, posaçërisht tani pas shfaqjes së pandemisë COVID-19. Shpresoj që së shpejti do të kem mundësinë të hapë një klinikë private dhe të bëhem lidere në profesionin tim”.

Mbrojtja e fëmijëve është një tjetër qëllim i së ardhmes në planet profesionale të dikujt tjetër. Është Fllanza Hakaj, një juriste e diplomuar, e cila po lidhet fort me profesionin e saj. Ajo ka vendosur që të bëhet një avokate, duke punuar si një aktiviste për të drejtat e njeriut, me fokus në të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre si edhe në të drejtat e grave. Por si një student, nuk ka qenë e lehtë për Fllanzën të vendosë se çfarë dëshiron të shërbejë në të ardhmen.
“Gjatë marrjes pjesë në seanca gjyqësore si një studente e drejtësisë, e kam portretizuar veten në rolin e prokurores, gjykatëses dhe avokates. Kam vendosur që të bëhem një avokate, duke luftuar dhe mbrojtur të drejtat e grave në pronë dhe trashëgimi, mbrojtjen e fëmijëve dhe luftimin e dhunës në familje dhe veçanërisht dhunën ndaj grave, duke kontribuar kështu në një të ardhme të barabartë për të gjithë”, thotë Fllanza.


Agjencia e Statistikave e Kosovës raportoi se 12 për qind e grave janë pronare të shtëpive krahasuar me 88 për qind burra në 2017. Kjo lë shumë hapësirë për barazinë gjinore kur bëhet fjalë për të drejtat e pronës dhe Fllanza është e fuqizuar të bëhet një udhëheqëse në mbrojtjen dhe luftimin e të drejtave të grave në përgjithësi, me fokus në pronën dhe të drejtat e trashëgimisë.
Dhuna në familje ndaj grave në Kosovë përbën një tjetër shqetësim. Në të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës, shumica e viktimave të dhunës në familje janë gra.
Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje është rritur. Sipas statistikave, në mars 2019, ishin 124 raste të dhunës në familje të raportuara dhe në mars 2020 ishin 169 raste të raportuara. Kjo tregon një rritje të rasteve të raportuara për 36%.


Ngritja e vetëdijes dhe avokimi për të drejtat e grave si dhe luftimi kundër të gjitha formave të diskriminimit në Kosovë është një domosdoshmëri kur flitet barazia gjinore në politikë, ekonomi dhe shoqëri. Kjo është ajo në çfarë është fokusuar Donjeta Istrefi nga Prishtina. Teksa është duke e ndjekur praktikën në punë në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore.
“Jam duke punuar fort për t’u bërë hulumtuese profesioniste për integrim gjinor dhe të drejta të barabarta në mes të grave dhe burrave. Pjesëmarrja e barabartë e grave në vendimmarrje është e një rëndësie imediate. Kështu që, nevojitet më shumë avokim, veprim dhe bashkëpunim në mes të të gjithë nesh”, thotë Donjeta.
Donjeta është e shqetësuar për faktin se aktualisht asnjë grua nuk udhëheq asnjë komunë në Kosovë. Ajo thotë se në zgjedhjet lokale këtë vit, kjo duhet të jetë një prioritet për partitë politike në vend, në mënyrë që të përmbyllet më në fund hendeku gjinor në pjesëmarrje dhe vendimmarrje.

Donjeta Gjonbalaj, Fllanza Hakaj dhe Donjeta Istrefi, janë ndër 228 gra të tjera të cilat janë pjesë e Programit për praktikë në punë të mbështetur nga UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që po kryejnë praktikën 6-mujore në sektorin privat dhe OJQ-të në Kosovë.
Kjo mbështetje e dedikuar për të rinjtë e sapodiplomuar vjen në një kohë shumë të përshtatshme kur pasiviteti i tregut të punës midis grave vazhdon të jetë i lartë dhe puna e papaguar e grave për kujdes është rritur si rezultat i pandemisë COVID-19. Të dhënat e fundit nga Vlerësimi i Ndikimit Socio-Ekonomik për Kosovën zbulon se 11 për qind e të të anketuarve kanë humbur vendet e tyre të punës gjatë krizës COVID-19.
UNDP-ja po bën një përpjekje për të krijuar më shumë mundësi për punëkërkuesit e regjistruar si të papunë me fokus tek ata që janë të nën-përfaqësuar në tregun e punës – gratë dhe veçanërisht gratë e reja. Siç tregojnë statistikat, niveli i inaktivitetit të fuqisë punëtore në mesin e grave është në një nivel shqetësues prej 78.5 për qind. Shkalla e punësimit të grave në Kosovë është vetëm 14.4 për qind dhe në mesin e grave të reja (të moshës 15-24 vjeç) me vetëm 5.6%.
UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës dhe Sportit, nëpërmjet Projektit të Programeve Aktive të Tregut të Punës 2(ALMP2) dhe Programit për praktikë në punë po mbështet 400 të rinj e të reja, të cilët kanë diplomuar së fundmi nga niveli i arsimit të mesën professional dhe arsimit të lartë, për të përfituar njohuri profesionale në fushën e tyre të studimeve.
Të dhënat zyrtare për punëkërkues e papunësuar në Kosovë tregojnë një shkallë të lartë të papunësisë në mesin e të sapo diplomuarve. Vetëm gjatë vitit 2019, ishin 7,833 punëkërkues të papunë të regjistruar, të cilët kishin përfunduar arsimimin e lartë (universitetin) dhe po kërkonin punë. Shumica e studentëve të pas diplomuar përballen e pyetjen e “përvojës së punës” kur aplikojnë për një vend pune dhe kanë mundësi të kufizuara për eksperiencë profesionale. Nëpërmjet Programit të praktikës në punë, po mbështeten të rinjtë për të përfituar shkathtësitë profesionale, për tu mundësuar kështu që të fillojnë karrierën e tyre.
(Artikulli është marrë në ueb-faqen e UNDP-së në Kosovë)