Grenell i reagon këshilltarit të ish-presidentit Clinton: Administrata Trump do vazhdoj ta ketë Kosovën prioritet të lartë

I dërguari Speciale i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka reaguar në drejtim të zëdhënësit të ish-presidentit amerikan Bill Clinton, në lidhje me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në mes dy vendeve.
Grenell përmes rrjetit social Twitter shkroi se ish-zëdhënësi i Clinton-it, Joe Lockhart është i inatosur që Kosova dhe Serbia janë pajtuar për bërjen e hapave për normalizim ekonomik.
“Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë të Bill Clinton është i inatosur që Kosova dhe Serbia ranë dakord për hapat e normalizimit ekonomik. Ai qartë dëshiron vazhdim të konfliktit. Pse u injoruan për kaq gjatë nga Washington-i? Administrata Trump do të vazhdoj ta ketë Kosovën dhe Serbinë në prioritet të lartë”, tha Grenell, transmeton Indeksonline.

Të premten që shkoi Kosova dhe Serbia kanë arritur të nënshkruajnë marrëveshjen historike në Washington, e cila u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në nivel të lartë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndër të tjerash në marrëveshje thuhet se Kosova dhe Serbia u pajtuan për normalizim të zhvillimit ekonomik.
Të pranishëm në nënshkrimin e kësaj marrëveshje ishin kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
E padyshim emri më i rëndësishëm i pranishëm në këtë nënshkrim ishte vetë presidenti amerikan, Donald Trump./Indeksonline/