09:12 / E Mërkurë, 19 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Grenell: SHBA nuk është e hapur për idenë e shkëmbimit të territoreve Kosovë – Serbi

Emisari i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka reaguar ashpër ndaj një lajmi që theksonte se Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende janë të hapur për një shkëmbim të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Mëngjesin e së mërkurës, Grenell, e quajti “lajm të rremë” artikullin e portalit Euobserver, të publikuar të martën.

Euobserver, në këtë artikull shkruante se ShBA-të po refuzojnë të përjashtojnë një shkëmbim të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë – përkundër kundërshtimit të Gjermanisë ndaj kësaj ideje.

Portali evropian citoi një deklaratë të Matthew Palmer, të dërguarit të posaçëm të ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, të dhënë të hënën e ku tha se “varet nga palët të vendosin parametrat e dialogut”, pasi u pyet për planin e shkëmbimit të territoreve.

“Lajm i rremë. Dhe, ju as që keni më keni kontaktuar për të më pyetur. Unë jam për atë që pajtohen palët – jam i fokusuar në zhvillim ekonomik, jo politikë”, ka thënë Grenell.