20:20 / E Martë, 25 Korrik 2023 / shkelqim osmanaj

Greqi: Dy pilotë humbën jetën pasi aeroplani zjarrfikës u rrëzua teksa po shuanin zjarret

Dy pilotë vdiqën pasi një avion i vendosur për të shuar zjarret në ishullin grek Evia, u rrëzua të martën.

Ministri grek i Mbrojtjes Kombëtare, Nikos Dendias, konfirmoi se pilotët 34-vjeçar dhe 27-vjeçar u vranë në përplasjen pranë qytetit Karystos, teksa ekuipazhet luftuan me dhjetëra zjarret e furishme.

“Është thellësisht pikëlluese humbja e jetëve të oficerëve të Forcave Ajrore dhe operatorëve të avionëve zjarrfikës, në krye të detyrës dhe në përpjekje për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe mjedisin e vendit tonë”, tha Dendias.

Zyrtarët thanë se dy pilotët ishin në një bombardues ujor Canadair, ndërsa ai u rrëzua në një luginë teksa hidhte ujë mbi një zjarr dhe shpërtheu në flakë pasi goditi një pemë.