Greqi: Protestohet kundër pagave të ulëta
Mijëra grekë u mblodhën sot në qendër të Athinës, ndërsa mjekë dhe mësues iu bashkuan punonjësve të sektorit publik që hynë në grevë, duke protestuar kundër pagave të ulëta dhe krizës së kostos së jetesës, në prag të votimit të buxhetit për vitin 2026.
Greqia është rimëkëmbur nga kriza e borxhit e viteve 2009–2018, pas shkurtimeve të pagave si pjesë e masave shtrënguese në këmbim të tre paketave ndërkombëtare shpëtimi.
Megjithatë, pavarësisht rritjeve të shumta vitet e fundit, pagat mbeten nën mesataren e eurozonës, ndërsa kostot e ushqimit dhe strehimit janë rritur.
Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka njoftuar lehtësime tatimore dhe masa të tjera mbështetëse me vlerë 1,6 miliardë euro (1,89 miliardë dollarë), të cilat pritej të miratoheshin nga parlamenti të martën si pjesë e buxhetit të vitit të ardhshëm.
Por punonjësit bashkiakë, mësuesit e shkollave dhe mjekët e spitaleve shtetërore ndërprenë sot punë , duke iu bashkuar një greve 24-orëshe të sektorit publik për paga që, sipas tyre, nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet mujore.
“Është një buxhet që shkurton miliona nga spitalet publike, ku punoj edhe unë, dhe i kanalizon paratë drejt shpenzimeve ushtarake”, tha mjekja Argyria Rotokritou, e cila mori pjesë në protestat jashtë parlamentit në kryeqytetin grek.
Protestuesit shprehën gjithashtu solidaritet me fermerët, të cilët për javën e tretë radhazi kanë vendosur mijëra traktorë dhe kamionë në dhjetëra bllokada, duke ndërprerë trafikun në autostrada kryesore dhe duke bllokuar herë pas here kalimet kufitare, në shenjë proteste ndaj vonesave në ndihmat dhe pagesat e Bashkimit Evropian.

