Greqia dhe Turqia larg pajtimit lidhur me pretendimet në Mesdhe

Turqia tha të enjten se nga 1 deri në 2 shtator do të zhvillojë manovra me municion ushtarak në Mesdheun lindor, në vazhdën e një serie stërvitjesh ushtarake që kanë rritur tensionet me Greqinë.
Njoftimi u bë disa orë para se parlamenti grek të mblidhej për ratifikimin e një marrëveshjeje me Egjiptin, që përcakton kufijtë detarë midis dy vendeve, një hap të cilin Turqia e sheh si cënim të dinjitetit të saj.
Lexo Edhe:
Zemaj takim virtual me homologët nga Ballkani për menaxhimin e COVID-19
Anëtaret e NATO-s, Greqia dhe Turqia, janë përfshirë në një mosmarrëveshje mbi kontrollin e ujërave në Mesdheun lindor. Tensionet u shkallëzuan këtë muaj, kur Ankaraja dërgoi një anije për eksplorime sizmike në rajonin e debatueshëm, akt që Athina e quan të paligjshëm.
Dy vendet kanë mosmarrëveshje mbi të drejtat ndaj burimeve të mundshme energjetike në rajon, bazuar në pretendimet e secilit për zgjatimin e shelfit përkatës kontinental.
Marina turke e publikoi njoftimin për manovra, të njohur si Navtex, të enjten, duke thënë se do të zhvillojë qitje ushtarake në Mesdheun lindor, përballë bregdetit të Iskenderunit, në verilindje të Qipros.
Ajo gjithashtu i shtriu deri më 1 shtator punimet sizmike të anijes kërkimore Oruç Reis, në jug-perëndim të Qipros.
Ndërsa mosmarrëveshjet janë ashpërsuar, Franca tha të mërkurën se po u bashkohej manovrave ushtarake me Italinë, Greqinë dhe Qipron në Mesdheun lindor.