20:20 / E Martë, 12 Janar 2021 / OSH

Greta Thunberg në pullat postare suedeze

Aktivistja adoleshente për Klimën, Greta Thunberg është zgjedhur të shfaqet në një pullë postare suedeze, që do të dalë në shitje të enjten.

Tetëmbëdhjetëvjeçarja paraqitet më këmbë mbi një shkëmb, e veshur me një mushama të verdhë dhe dallëndyshet që fluturonin mbi të.

Ilustrimi është realizuar nga Henning Trollback.

“Pulla është pjesë e një serie të titulluar “Natyrë e Vlefshme”, që përqendrohet te mjedisi dhe qëllimet mjedisore të vendosura nga parlamenti suedez”, tha kompania e shërbimeve postare PostNord.

“Projektimet duhet të pasqyrojnë kohën tonë, ku çështja mjedisore është theksuar për vite të tëra me rradhë përmes zërit të fortë të Greta Thunberg”, tha Stina Olofsdotter i “PostNord Stamps” në një deklaratë.

Pullat e tjera të serisë paraqesin habitate të ndryshme, që parlamenti i ka caktuar si të rëndësishme për t’i mbrojtur, përfshirë malet dhe florën malore, pyjet, një peizazh bujqësor, një grup veçanërisht të larmishëm kënetash, si edhe një specie të kërcënuar të bretkosës.