10:28 / E Hënë, 19 Gusht 2019 / indeksADMonline

Greva në Aeroportin e Prishtinës u shkakton vonesa udhëtarëve

Punëtorët e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, sot kanë mbajtur një grevë njëorëshe, e cila ka shkaktuar tollovi dhe vonesa fluturimeve.

Punëtorët përmes kësaj greve po kërkojnë kompensim dhe benifite të tjera për rrezikshmërinë, eliminimin e dallimeve në paga, pagesa e përvojës së punës, orët e punës gjatë vikendeve të paguhen sipas Ligjit të punës dhe pagesa e shujtës.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit të Prishtinës, Bashkim Latifi, tha se greva është realizuar ashtu siç ishte planifikuar dhe se përmes saj janë dërguar mesazhet te menaxhmenti i Aeroportit të Prishtinës.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk reflektojnë, karshi kërkesave të tyre, greva do vazhdojë më tej edhe nesër ku do protestojnë dy orë dhe po ashtu edhe të mërkurën ku greva do vazhdojë gjatë tërë ditës.

Ndërsa për pengesat dhe vonesat në procesin e punës së aeroportit, zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, ka thënë se janë shkaktuar, pasi që një grevist ilegalisht e kishte ndërprerë shiritin e bagazhit dhe kjo pastaj kishte shkaktuar telashe.

Sipas saj, këtë tollovi e ka shkaktuar edhe anulimi i një fluturimi që ka ndodhur dje.

Nga ana tjetër, udhëtarët që po prisnin që të udhëtonin drejt destinacioneve të tyre u shprehen tejet të mllefosur me këtë gjendje.