75 Mall Live Search
23:36 / E Mërkurë, 16 Janar 2019 / indeksADMonline

Greva në shkolla, Komisioni për Arsim ende pa qëndrim zyrtarë

Ka disa ditë që punëtorët e arsimit kanë hyrë në grevë, duke kërkuar kështu rritjen e koeficientit për 30 për qind.

Megjithëse Qeveria e Kosovës ka ofruar rritje të konfiecientit të pagës prej 15 për qind, këtë gjë nuk e ka pranuar SBASHK-u, duke paralajmëruar gjatë ditës së djeshme se greva do vazhdojë edhe më tej, deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Deputetja nga radhët e AAK-së, e cila njëherësh është zëvendëskryetare e Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Teuta Haxhiu në një prononcim për Indeksonline ka thënë se Sindikata e Arsimit nuk ka zgjedhur mjetin e duhur si grevë, dhe se ata janë orientuar në adresën e gabuar.

Megjithatë, ajo mendon se kërkesa për rritje të koeficientit është plotësisht e arsyeshme.

 “Unë mendojë se Sindikata nuk e ka zgjedhë mjetin e duhur si grevë, për shkak se patjetër duhet me u orientua në adresën e duhur, tek Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe jo tek Qeveria. Kam propozuar që Komisioni t’i drejtohet me një shkresë Kryesisë së Kuvendit që të trajtohet me emergjencë dhe të merren parasysh punëtorët. Kërkesa për koeficientin është plotësisht e arsyeshme, duhet të bëjmë çfarë të mundemi, mirëpo kërkesa drejtuar qeverisë, Ministrisë së Arsimit arrihet me një marrëveshje. Por, ligji është në dorë të Kuvendit, në dorë të partive politike, konsiderojë se partitë politike duhet të punojnë më shumë. Nëse partitë politike janë të gatshme të punojnë më shumë kërkesat e tyre do të realizohet.  AAK është e gatshëm që koeficienti i propozuar në Ligjin aktual të ndryshohet, mendoj se duhet ta bëjmë një ligj të zbatueshëm”, ka thënë Haxhiu.

Në anën tjetër, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Rekaliu njëherësh anëtar i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës ka bërë të ditur se komisioni ende nuk ka një qëndrim zyrtar në lidhje me grevën.

Në një prononcim për Indeksonline, Rekaliu ka thënë se si deputet i LDK-së mendon se kjo grevë ka ardhur si rezultat i qasjeve të gabuara të Qeverisë, dhe po të respektoheshin ligjet në fuqi nga Qeveria, nuk do të vinte situata e tanishme e grevës.

“Komisioni nuk ka ende një qëndrim zyrtar në lidhje me grevën. Ndërsa, unë si deputet i LDK-së, dhe anëtar i Komisionit përkatës për arsim, konsideroj se greva ka ardhur si rezultat i qasjeve të gabuara të qeverisë, me theks të veçantë të kabinetit qeveritar. Nëse ju kujtohet, politikat ekonomike të Qeverisë Mustafa, të përkthyera edhe në legjislacionin përkatës, kanë përcaktuar se rritjet e pagave në sektorin publik, është e tillë që me ndërhyrjen klienteliste të partnerëve të koalicionit taktuar në përmbajtjen dhe formulën e rritjes progresive të pagave, që ka qenë në versionin e parë të projektligjit, është shkaktuar pakënaqësi të sektorëve që nuk janë “privilegjuar” nga këto ndërhyrje. Ne besojmë se po të respektoheshin ligjet në fuqi nga Qeveria, nuk do të vinim në situatën e grevës së tanishme”, ka deklaruar  Rekaliu.

Ndërsa, në mbledhjen urgjente të mbajtur gjatë ditës së djeshme nga Komisioni për Arsim, kryetari i saj, Ismajl Kurteshi ka kërkuar që MASHT dhe SBASHK-u të arrijnë një marrëveshje sa më të shpejtë, në mënyrë që të ndërpritet greva.

Por, gjatë kësaj mbledhje ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka theksuar se aktualisht nuk është e mundur që koeficienti i pagës për mësimdhënës të rritet për 30 për qind, pasi këtë nuk e përballon buxheti i Kosovës./Indeksonline/