14:41 / E Martë, 19 Nëntor 2019 / indeksADMonline

Grimeri shqiptar: Jam gay dhe krenar, kërkoj nga vëllezërit dhe motrat shqiptare që t’i hapin sytë, zemrën dhe shpirtin

Ai u bë i njohur në botë si grimeri i Kim Kardashianit me të cilën ka raporte të mira jo vetëm profesionale, por edhe miqësore.

Grimeri i njohur me prejardhje shqiptare, Mario Dedivanoviq së fundi është nderuar me  çmimin “American Influencer Award”.

Për Marion ishte përgatitur edhe një befasi, një video emocionuese nga nëna, babai, vëllai dhe motra e tij, të cilët e bënë me lot.

Ai u ngjit në skenë për të marrë çmimin ku edhe bëri një fjalim emocional që preku të gjithë publikun kur foli për rrugëtimin e tij përgjatë viteve.

”I thashë më në fund që kisha kaluar gjithë fëmijërinë dhe jetën time duke mbytur mendimet, ëndrrat dhe ndjenjat e mia, duke u përpjekur të jem i padukshëm në mënyrë që askush të mos e dinte si po ndihesha përbrenda, që askush të mos tallej me mua, sepse e dija që kisha lindur ndryshe. Isha i traumatizuar të isha vetja. Kam jetuar me frikën dhe i turpëruar gjithë jetën time”, tha Mario.

Ai shtoi se nëna me zemër të thyer ia ktheu “Mario, prej kësaj dite nuk do të jetosh më kurrë me turp e frikë për të qenë ai që je, sepse ti je i bukur, perfekt, i fuqishëm”.

Në fjalimin e tij, Mario kishte edhe një mesazh të rëndësishëm për shqiptarët.

“Dua t’iu them diçka të rëndësishme vëllezërve dhe motrave të mia shqiptare. Po ju kërkoj të gjithëve të hapni sytë, zemrën dhe shpirtin, sepse shumë vajza dhe djem në botë po rriten me dhimbjen që unë jam rritur. Mendojnë çdo ditë të vrasin veten, ashtu si unë mendoja. Vetëm sepse janë ndryshe dhe janë të frikësuar të jenë vetvetja, sepse kultura ose familja i gjykon. Janë të frikësuar se fisi ose familja nuk do t’i pranojë sepse kanë lindur ndryshe. Ne nuk jemi ndryshe. Ne meritojmë të jemi të lumtur dhe të ndjejmë dashuri”, janë fjalët e Marios.

“Sot po e them për herë të parë, unë jam një burrë 37-vjeçar gay. Tani mund të jetoj jetën që meritoj dhe ndihem i lumtur që më në fund mund të jetoj”, përfundoi Mario.