09:35 / E Premte, 12 Janar 2018 / indeksADMonline

Gripi sezonal kap 14 mijë kosovarë

Fundi i 2017-tës dhe fillimi i 2018-tës nuk ka qenë i mbarë për mijëra qytetarë të Kosovës sa i përket shëndetit. Kohëve të fundit, shumë qendra mjekësore janë stërmbushur me pacientë të cilët po kërkojnë trajtim nga gripi sezonal që ka kapluar vendin, shkruan Indeksonline.

Se shifrat e personave që kanë kërkuar ndihmë nga mjekët janë të mëdha e konfirmon edhe Era Pireva nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Ajo në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se nga tetori i vitit të kaluar ka një numër të madh personash që janë prekur nga gripi.

“Nga fillimi i sezonës (tetor 2017), deri tani janë raportuar rreth 14000 raste të gripit sezonal. Të gjitha moshat janë të prekura, por numër pak më i madh është raportuar në moshën 15-64 vjeçare”, ka thënë Pireva.

Sipas saj, disa nga simptomat e gripit janë temperaturat e larta, ethet, plogështi, kollitje, dhembje e muskujve, nyjeve, dhimbje koke e rrjedhje e hundëve.

Pireva ka thënë se grip ka në të gjitha komunat e  Kosovës, por numër më i madh i rasteve raportohet  nga Prishtina, Prizreni,  pasi që edhe numri i banoreve është më i madh.

Disa nga masat praktike në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit sezonal janë:

  • Të evitohen sa është e mundur kontaktet e afërta me individë të sëmurë
  • Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi në mënyrë që të parandalohet përhapja e sëmundjes.
  • Të reduktohet numri i vizitave të familjarëve tek personat të hospitalizuar (SHSKUK, Spitalet rajonale).
  • Të evitohen vendet e mbyllura dhe mbingarkuara me njerëz.
  • Ushqehuni shëndetshëm duke përdorur më shumë vitamina.
  • Bëni aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm.
  • Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku qëndroni.
  • Mbuloni hundën dhe gojën me një shami kur të teshtini dhe kolliteni dhe hidheni më pas në vend të sigurt.
  • Lani duart shpesh me ujë dhe sapun, ose përdorni solucione duarsh me alkool.
  • Mos prekni sytë, hundën dhe gojën me duar të kontaminuar, pasi virusi përhapet në këtë mënyrë.
  • Pastroni dhe dezinfektoni sipërfaqet dhe objektet që mund të jenë kontaminuar nga virusi.

 

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit , barnat merren vetëm me rekomandimin e mjekut.

Temat: