14:23 / E Shtunë, 30 Maj 2020 / indeksADMonline

Gruaja e policit që vrau afro-amerikanin Floyd kërkon divorcin

Gruaja e Derek Chauvin, oficeri i policisë i pushuar nga puna dhe i arrestuar për vrajen e George Floyd në Minneapolis, ka bërë një kërkesë për divorc, pas ngjarjes shokuese. Avokatët e Kellie Chauvin thanë të premten se ajo kërkoi divorcin.

“Ajo është e shkatërruar nga vdekja e Floyd,” thuhet në një deklaratë në emër të Kellie Chauvin dhe familjes së saj. “Shpreh ngushëllimet për familjen e tij, të afërmit dhe për këdo që është i hidhëruar.”

Kellie Chauvin nuk ka fëmijë nga martesa me oficerin e policisë dhe është e paqartë se prej sa kohësh janë të martuar.

Gruaja e oficerit gjithashtu ka qenë e akuzuar penalisht për shkrimin e një çeku të rremë. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në vitin 2005, kohë kur Kellie ishte e martuar me një tjetër person. Ajo shleu detyrimet ndaj kompanisë Pick’N Save dhe çështja u mbyll.

Në 2018-n, Kellie u shpall fituese në konkursin e bukurisë Mrs. Minnesota America dhe në një intervistë tha:

“Pas asaj uniforme, ai është kaq i ëmbël. Është një zotëri i vërtetë. Ende më hap derën, më vesh pallton. Pas divorcit, kisha një listë me gjërat që duhet të kishte partneri im nëse do të nisja sërish një lidhje dhe ai i plotësonte të gjitha.”

Derek Chauvin u arrestua të premten në lidhje me vdekjen e Floyd, gjë që shkaktoi protesta mbarëkombëtare të dhunshme. Ai po përballet me akuzën e vrasjes së shkallës së tretë – për sa kohë nuk është vërtetuar se vrasja ishte e qëllimshme. Tre oficerët e tjerë, të pranishëm në vendngjarje, u pushuan nga puna dhe ndaj tyre ka nisur hetimi. Ata nuk po përballen me akuza për vrasje, por një gjë e tillë mund të ndryshojë.

Sipas raportit të policisë, Chauvin i vështirësoi frymëmarrjen Floyd duke i vendosur gjurin për 8 minuta dhe 46 sekonda në total, ndërkohë që gjatë 2 minutave dhe 53 sekondave të fundit, Floyd nuk reagonte.