75 Mall Live Search
21:42 / E Enjte, 04 Nëntor 2021 / MSH

Gruaja e Rexhep Selimit: Jemi krenarë me ty Rexhë!

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe njëherazi ish-shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, para një viti, më 4 nëntor, mori aktakuzen ndaj tij të ngritur në Dhomat e Specializuara.

E sot, një vit pas ngritjes së aktaktuzës, bashkëshortja e tij, Shqipe Mehmeti Selimi, ka thënë se krenohet me bashkëshortin e saj.

Ajo ka ndarë në Facebook një fotografi të Selimit në uniformën e UÇK-së dhe ka shkruar: “Në hap me sakrificat e Kombit! Jemi krenarë me ty Rexhë!”.

Rexhep Selimi është duke u akuzuar në Hagë për se, mës viteve 1998-1999, u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes.

Ai në Gjykatën Speciale po akuzohet së bashku me ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin.

Lajmin se ishte ftuar nga Gjykata Speciale, e kishte konfirmuar vetë Selimi.

“Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash. Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem do kthehem po ashtu me kokën lart sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, kishte thënë ai.