21:03 / E Martë, 22 Qershor 2021 / OSH

Gruaja që tha se lindi dhjetënjakë, dërgohet në spital psikiatrik

Një nënë e cila së fundmi pohoi se kishte lindur dhjetë fëmijë, është dërguar në një spital psikiatrik për një ekzaminim.

Gosiame Sithole, u dërgua në spitalin Tembisa, në Johannesburg dhe e gjitha kjo erdhi për shkak që bashkëshorti i saj, nuk beson se ekzistojnë fëmijët të cilët ajo pohon se janë dhjetë nga shtatzënia e saj e fundit.


Tutje, avokati i Sithole, bëri të ditur se 37 vjeçarja po mbahet atje pa dëshirën e saj. Gjithashtu, e gjithë kjo u shkaktua pasi spitali ku ajo pohonte të jetë trajtuar, mohoi të ketë pranuar atë si paciente apo t’i ketë ofruar ndonjë tretman asaj.

Pasi ajo po mbahet atje pa dëshirën e saj, avokati i gruas tha se lënda do të shkojë edhe në gjykatë, për t’u mundësuar lirimi i saj.

Ndër të tjera, avokati i saj tha se fillimisht duhej të dërgohej te ndonjë psikolog, e jo në psikiatri, pasi që e njëjta edhe po keqtrajtohet në atë spital.

Po ashtu, nëna e “10 fëmijëve”, akuzoi bashkëshortin e saj se dëshironte të bëhej milioner nga donacionet që u erdhën atyre, pasi të gjithë kuptuan se ata u bënë prindër të dhjetë fëmijëve në të njëjtën kohë.