Gruda: Integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë, kërkojmë rivotim
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka deklaruar se integriteti i procesit zgjedhor në Mitrovicë është cenuar rëndë dhe ka kërkuar që në këtë komunë të zhvillohet rivotim i menjëhershëm.
Në një konferencë për media, zyrtari i PDK-së, Përparim Gruda, tha se gjatë procesit zgjedhor janë vërejtur shkelje të ligjit dhe standardeve ndërkombëtare që garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Sipas tij, në disa qendra të mëdha votimi janë vërejtur parregullsi serioze, prandaj PDK kërkon që procesi të përsëritet.
Ai tha se e vetmja zgjidhje, edhe në rast se KQZ, PZAP dhe institucionet e tjera vendosin t’i besojnë kompanisë se ka qenë gabim teknik, është ta çojnë Mitrovicën në rivotim dhe të shtypen fletëvotimet e reja.
Gruda thekson faktin se ky gabim, siç po e quajnë nga kompania kontraktuese, e dëmton procesin.
“Nuk është çështja nëse besojmë ne ose jo që ka qenë gabim teknik. Thashë, edhe me supozimin se ka qenë gabim teknik, kjo e dëmton procesin dhe procesi duhet të shkojë në rivotim. Nuk mund të thuash ka ndodhur një gabim teknik dhe do ta sanojmë atë. Kjo është sikur me shtyp fletëvotime e me harru me shkru PDK. Sepse ky gabim teknik ka ndikim thelbësor në rezultatin zgjedhor. Askush nuk mund të thirret në faktin se ka një gabim teknik dhe do ta lëmë, është procesi të komprometohet dhe votat të mos jenë ato që kanë vendosur qytetarët e Kosovës.
Në pyetjen për kërkesën e Fadil Nurës për të liruar nga KQZ-ja dy komisionerët, Gruda tha se ata e kanë kryer punën e tyre.
“Dy përfaqësuesit tanë nga PDK kanë shkuar dhe janë angazhuar bashkë me mua dhe ekipin ligjor për të punuar që e vërteta të zbardhet,” tha Gruda.

