19:48 / E Martë, 20 Nëntor 2018

Gruevski: I gatshëm të shkoj në burg, nëse Zaev jep dorëheqje nga politika

Hungaria ka miratuar kërkesën e Nikolla Gruevskit për azil. Në rrjetin social Facebook, ish kryeministri gjerë e gjatë ka sqarua arsyet e potencuara në kërkesën e tij për azil, gjë të cilën deri tani nuk e kishte bërë publike.

Gruevski thotë se jeta e tij ka qenë në rrezik kurse disa herë në shkrimin e tij potencon që ka pasur informacione se dikush ka përgatitur vrasjen e tij në burg.

Ai thotë se ka vendosur me metoda të tjera të vazhdojë luftën e tij kundër kësaj qeverisje, i pëlqen ose jo dikujt.

Më poshtë postimi i Gruevskit:

Në kërkesën për azil politik potencova se atë e kërkoj për shkak të përndjekjes politike nga qeveria e re e udhëhequr nga LSDM-ja. Potencova se qeveria dëshiron të më marrë lirinë duke shfrytëzuar hapa dhe metoda jodemokratike dhe duke keqpërdorur sistemin e prokurorisë dhe gjyqësorit në Maqedoni.

Unë nuk ik nga drejtësia por duke shfrytëzuar metoda të tjera ndërkombëtare të drejtësisë vazhdoj ta kërkoj drejtësinë edhe për mua edhe për viktimat e tjera të përndjekjes politike në Maqedoni.

Unë publikisht thash se jam i gatshëm të shkoj në burg nëse Zaev heq dorë nga politikat humbëse për Maqedoninë dhe nga keqtrajtimi i njerëzve të tjerë. Por ai si duket dëshiron gjithçka.

Dëshiron edhe të shesë interesat nacionale, të vjedhë shtetin, të gjykojë dhe të dënojë qindra bashkëpunëtor të mijë kurse mua të më mbyllë dhe likuidojë”, shkruan Nikolla Gruevski.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Qeverisë, nga ku kanë hedhur poshtë pretendimet e Gruevskit për rrezikimin e sigurisë së tij dhe për proces të padrejtë gjyqësor ndaj tij.

“Nikolla Gruevski është i gjykuar me vendim të plotfuqishëm në një proces publik dhe transparent, njëkohësisht kundër tij zhvillohen disa procese gjyqësore, hetime dhe një procedurë parahetimore. I dënuari Nikolla Gruevski ka qenë nën mbrojtje policore sipas të drejtave që i takonin si ish kryeministër dhe ai në asnjë rast nuk ka paraqitur kërcënime për jetën. Kundër Nikolla Gruevskit kurrë nuk është zhvilluar asnjë përndjekje politike dhe asnjë institucion qeveritar nuk e ka kërcënuar me jetë. Nga këtu konstatojmë se qëllimi i vetëm i Gruevskit ka qenë ikja nga drejtësia”, thonë nga Qeveria.

Nga Qeveria shpresojnë në bashkëpunimin e shtetit hungarez dhe thonë se secili që ka shkelur ligjet dhe për të cilin ka vendim të plotfuqishëm, do të përgjigjet për veprimet e tij. Zyrtarisht procedura për marrjen e përgjigjes për kërkesën për azil në Hungari zgjat 15 ditë deri në 60 ditë.

Që nga kërkesa e parë për azil e Gruevskit nëpër ambasadat e vendeve ku ka kaluar gjatë arratisjes, kanë kaluar vetëm 9 ditë kurse që kur ai njoftoi zyrtarisht për këtë në faqen e tij në fejsbuk kanë kaluar vetëm 7 ditë. Më ketë, vendimi për Gruevskin është marrë më shpejt se sa parashikojnë ligjet hungareze ose siç shkruajnë disa nga mediat, Gruevski mund ta ketë bërë kërkesën edhe para arratisjes. Ish kryeministri, i dënuar në arrati, ka qenë temë debati edhe në parlamentin hungarez, kurse një nga partitë opozitare atje ka ngjitur fotografinë e tij në objektin e ligjvënësit me mbishkrimin “migrati VIP i Orbanit”. Ata kundërshtojnë azilin për një person që vjen nga një vend të cilin Hungaria e konsideron si të sigurtë.