Grupet kriminale nga Ballkani po e zgjerojnë rolin e Afrikës Perëndimore në tregtinë e kokainës, thotë një raport

Grupet kriminale nga Ballkani Perëndimor, të cilat janë ndër trafikanët kryesorë të kokainës në Evropë, po konsolidojnë praninë e tyre në Afrikën Perëndimore, duke e shndërruar rajonin në një hallkë gjithnjë e më të rëndësishme të itinerarit të kontrabandës nga Amerika Latine drejt Bashkimit Evropian, thuhet në një raport të ri.
Kërkesa në rritje për kokainë në Evropë, së bashku me shtimin e kontrolleve në rrugët direkte nga Amerika Latine dhe zgjerimi i konsiderueshëm i porteve detare në Afrikën Perëndimore, ka shtyrë kontrabandistët prej disa vjetësh të rrisin trafikun përmes Senegalit, Sierra Leones, Gambias, Guinea-Bisaut dhe Kepit të Gjelbër.
Por, ndikimi i rrjeteve shqiptare dhe atyre sllavishtfolëse në rajon deri tani është kuptuar pak.
Hulumtuesit e Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), në raportin e publikuar të martën, thanë se këto grupe janë rritur dukshëm në rëndësi globale dhe tashmë janë mes rrjeteve më të mëdha kriminale në tregtinë e kokainës në Evropë.
Ato kanë shfrytëzuar aleancat në rajon me grupe kriminale holandeze dhe sidomos me organizatën braziliane Primeiro Comando da Capital (PCC), për të thelluar kontrollin mbi zinxhirin e furnizimit.
“Aleanca mes grupeve nga Ballkani Perëndimor dhe PCC-së është ndoshta partneriteti më i rëndësishëm aktualisht për futjen e kokainës në Evropë”, tha Sasha Gjorgjeviq, një nga autorët dhe analist i lartë në GI-TOC.
Raporti, pjesërisht i mbështetur nga Qeveria britanike, thekson se nevojitet më shumë bashkëpunim ndërkontinental mes agjencive të rendit, autoriteteve portuale dhe aktorëve të tjerë për të luftuar këto rrugë gjithnjë e më të zgjeruara të drogës.
Ai bën thirrje, gjithashtu, për mbledhje më të gjerë të të dhënave dhe shënjestrim më të mençur të ndërmjetësve në këtë tregti.
“Këto grupe janë ndër më të sofistikuarat në botë – nuk janë lojtarë periferikë”, tha Lucia Bird Ruiz-Benitez de Lugo, drejtoreshë e Observatorit të Ekonomive të Paligjshme në Afrikën Perëndimore pranë GI-TOC.
“Këta aktorë të mëdhenj globalë lidhen me dhunë në Evropë, dhe ndërsa gjithnjë e më shumë rrjete kriminale tepër të sofistikuara e të dhunshme depërtojnë në Afrikën Perëndimore, kjo paraqet rrezik serioz për stabilitetin dhe sigurinë”./REL/