19:41 / E Premte, 07 Tetor 2022 / MSH

Grupi BALFIN hyn edhe në një shtet tjetër të Bashkimit Evropian

  • Kroacia është vendi i nëntë ku Grupi BALFIN është i pranishëm
  • Shumica e aktivitetit të Grupit zhvillohet jashtë territorit të Shqipërisë
  • Alba-Trade, pjesë e Grupit, do përfaqësojë Samsung në Kroaci

Grupi BALFIN, nëpërmjet kompanisë Alba-Trade, e ka shtrirë aktivitetin edhe në Kroaci duke e çuar në nëntë numrin e shteteve ku operon. Alba-Trade është autorizuar zyrtarisht nga gjiganti i teknologjisë Samsung që ta përfaqësojë në shtetin dalmat për tregtinë me shumicë.

Në një kohë të shkurtër Alba-Trade është kthyer në një nga aktorët kryesor të tregut të elektronikës në Kroaci duke regjistruar një rritje me 50% të xhiros së saj vjetore, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo kompani, pjesë e Grupit BALFIN, është një njohëse e mirë e tregjeve evropiane dhe atyre të Ballkanit Perëndimor ku operon prej thuajse 30 vitesh.

Për Grupin BALFIN, me president Samir Manen, Kroacia është shteti i katërt në tregun e përbashkët Evropian ku po operon. Përveç Kroacisë, prej shumë vitesh Grupi është i pranishëm edhe në Austri, Vendet e Ulëta (Holandë) dhe në Zvicër. Aktualisht shumica e aktivitetit të Grupit BALFIN zhvillohet jashtë territorit të Shqipërisë duke u bërë sipërmarrja e vetme me seli në Shqipëri që ka këtë shtrirje të gjerë në tregun e Bashkimit Evropian. Ndërkohë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor Grupi BALFIN është i pranishëm në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Shqipëri.

Grupi BALFIN operon në zhvillimin e pasurive të paluajtshme, shitjes me shumicë dhe pakicë, industrisë bankare, menaxhimit të aseteve, medias, logjistikës dhe arsimit të lartë në nëntë shtete.