12:48 / E Hënë, 08 Gusht 2022 / k.v

Grupi i asamblistëve të VV-së dorëzon padi kundër ndërtimit të objektit afarist në vlerë 120 milionë euro nga NPB-ja

Grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të Komunës së Prishtinës, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë dorëzuar padi për anulimin e kontratës “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist” dhe kërkesë për masë sigurie.

Sipas padisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, në cilësi të të paditurve janë Ndërmarrje Publike Banesore NPB Sh.P.K, Made Group Construction Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K.

Përfaqësuesi i grupit të paditësve, Arianit Beqiri, tha se kjo padi vjen pas një viti e gjysmë përpjekjesh dhe adresimi nga ana e tyre e skandalit më të madh të prodhuar ndonjëherë nga ndonjë Komunë dhe ndërmarrje lokale në Republikën e Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, një gjë të tillë ata kishin provuar që ta diskutojnë edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal por që sipas tij, kjo gjë u refuzua nga pushteti lokal.

“Bëhet fjalë për mbi 17 mijë m2 në pronë publike në mes të kryeqytetit, në një nga zonat më të mira, të cilën po duan ta tjetërsojnë pronësinë nga publike në private dhe në emër gjoja të bashkëpunimit të projekteve të ndërmarrjes banesore, në fakt po synohet përfitimi i paligjshëm pasuror nga prona e përbashkët publike e qytetarëve të Prishtinës”, tha Beqiri.

Ai shtoi se projekti në fjalë që është i llogaritur si objekt afarist e banesorë së bashku me pronën publike që do të shfrytëzohet e kalon vlerën e 120 milion eurove.

“Prandaj ne sot kërkojmë edhe nga kjo gjykatë që të anulohet kjo kontratë me titull “Kontratë për ndërtimin e objektit të përbashkët banesorë afarist dhe që të paditurit Made Group Construction Sh.P.K, Arkos Sh.P.K dhe Madekos Sh.P.K, ti lirojnë njerëzit, sendet dhe objektet në afatin prej 15 ditësh dhe të njëjtit të i’a dorëzojnë NPB-së”, tha Beqiri.