75 Mall Live Search
15:19 / E Mërkurë, 01 Qershor 2022 / B O

Grupi i famshëm aziatik sjell një mesazh të fuqishëm nga “Shtëpia e Bardhë”

Grupi i njohur nga Korea Jugore e solli një mesazh të fuqishëm për dhunën kundër aziatikëve, gjatë një konference të shkurtër në Shtëpinë e Bardhë, raportoi portali “Billboard”.

Të martën (31 maj), shtatë anëtarët e bendit të popullarizuar të muzikës K-Pop iu bashkuan në një konferencë sekretares për media në Shtëpinë e Bardhë, Karine Jean-Pierre, për ta ndarë një dëshmi të sinqertë kundër rritjes shkatërruese të krimeve të urrejtjes ndaj komunitetit aziatik në Shtetet e Bashkuara.

“Përshëndetje, ne jemi grupi ‘BTS’. Është një nder i madh për ne që jemi ftuar sot në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar rreth një çështjeje kaq të rëndësishme, siç janë krimet e urrejtjes ndaj aziatikëve, gjithëpërfshirjes së këtij komuniteti dhe diversitetit. Sot i bashkohemi Shtëpisë së Bardhë për t’i dalë në përkrahje komunitetit të aziatikëve në vend, dhe për ta nderuar trashëgiminë e tyre. Jemi mërzitur shumë nga rritja e fundit e krimeve me motiv urrejtjen, duke përfshirë këtu krimet ndaj amerikano-aziatikëve, por për t’i dhënë fund kësaj dukurie dhe për ta mbështetur këtë kauzë, do të donim ta shfrytëzonim këtë mundësi për ta shprehur qëndrimin tonë edhe një herë. Ne jemi këtu sot falë adhuruesve tanë anembanë botës të cilët i takojnë nacionaliteteve, racave dhe kulturave të ndryshme. Jemi vërtetë falënderues për gjithçka. Madje ende jemi të befasuar për faktin se muzika e krijuar nga artistë të Koresë Jugore ka arritur t’i prek aq shumë njerëz anembanë botës, duke i tejkaluar gjuhët dhe barrierat kulturore. Ne besojmë se muzika është gjithmonë një unifikues i mahnitshëm dhe i mrekullueshëm i të gjitha gjërave. Nuk është gabim të jesh ndryshe dhe barazia fillon kur të fillojmë të flasim hapur dhe t’i pranojmë dallimet e njëri-tjetrit. Çdo person e ka historinë e vet. Shpresojmë që dita e sotme të shërbejë për të na ndihmuar ta respektojmë dhe kuptojmë secilin person si të vlefshëm”.