Grupi i njohur promovon këngën e parë pas katër vjetëve, për të ndihmuar fëmijët e luftës
Arctic Monkeys kanë lansuar “Opening Night”, këngën e tyre të parë të re që nga albumi i vitit 2022, “The Car”, me të ardhurat që do të shkojnë për bamirësinë War Child, shkruan The Guardian.
“Opening Night” është pjesë e HELP(2), një vazhdim i albumit Help të vitit 1995 nga War Child, i cili kishte bashkuar emra të njohur të muzikës për të mbledhur 1.2 milionë paundë për fëmijët e prekur nga konfliktet, duke përfshirë Radiohead, Blur, Sinéad O’Connor dhe Smokin’ Mojo Filters (një supergrup i Paul McCartney, Noel Gallagher dhe Paul Weller).
Kompilimi i ri, që do të dalë më 6 mars, po ashtu ka një listë të pasur yjesh, sipas The Guardian. Përveç ish-pjesëmarrësve të albumit të vitit 1995 – Beth Gibbons nga Portishead dhe Damon Albarn e Graham Coxon nga Blur – në të marrin pjesë legjenda si Pulp, Beck dhe Depeche Mode, si dhe muzikantë të rinj dhe të suksesshëm si Olivia Rodrigo, Fontaines DC, Cameron Winter, Wet Leg dhe Sampha.
Filmbërësi i nominuar për Oscar, Jonathan Glazer, gjithashtu kontribuoi në projekt, duke punuar me fëmijë në zona lufte në Ukrainë, Gaza, Jemen dhe Sudan për të krijuar filmat e tyre, si edhe duke rekrutuar fëmijë në Mbretërinë e Bashkuar për të dokumentuar procesin e realizimit të projektit.
Arctic Monkeys, të cilët këtë javë festojnë 20-vjetorin e albumit të tyre debutues, thanë në një deklaratë: “Jemi krenarë që mbështesim punën e paçmueshme që bën War Child dhe shpresojmë që albumi të sjellë një ndryshim pozitiv në jetën e fëmijëve të prekur nga lufta”.
James Ford, i cili ka prodhuar ose bashkëprodhuruar të gjitha albumet e Arctic Monkeys përveç njërit, mbikëqyri albumin, i cili u regjistrua në Abbey Road Studios në nëntor.
“Albumi origjinal Help kishte shumë kuptim për mua dhe të kem mundësinë, duke marrë parasysh situatën aktuale globale, të ndihmoj komunitetin tonë muzikor të bëjë diçka kaq pozitiv si të ndihmojmë fëmijët në zonat e luftës ishte e qartë. Përvoja e realizimit të albumit ka qenë shumë e fuqishme, dhe guxoj të them edhe e afirmon jetën”, tha ai.
War Child vlerëson se numri i fëmijëve të prekur globalisht nga lufta ka rritur nga një në 10 kur u publikua albumi i vitit 1995, në një në pesë sot, rreth 520 milion fëmijë.

