75 Mall Live Search
09:55 / E Hënë, 02 Shkurt 2026 / Z S

Grupi multietnik pa Vetonin, deputeti e akuzon ministrin në detyrë të qeverisë “Kurti”

Elbert Krasniqi përmes një postimi në Facebook bëri të ditur mbrëmë se në legjislaturën e 10-të, të Kuvendit të Kosovës Grupi parlamentar multietnik do të përbëhet nga 8 deputetë të partive KDTP, VAKAT, NDS, IRDK, PSA, SPO dhe LPRK.

Por në mesin e këtij grupi nuk është parë deputeti Veton Berisha.

Indeksonline ka kontaktuar të njëjtin për të marrë një qëndrim lidhur me këtë.

Në një prononcim për Indeksonline, Berisha thotë se grupi është çështje e vullnetit të njerëzve që dëshirojnë me bashkëpunu.

“Grupi është çështje e vullnetit të njerëzve se sa dëshirojnë me bashkëpunu, ajo çka ka rëndësi është fakti që tashmë unë jam deputet i Kuvendit të Kosovës’’, ka thënë fillimisht Berisha për Indeksonline.

Më tej Berisha thotë se ai më herët ka ftuar të gjithë për bashkëpunim në mirë të komunitetit egjiptian.

‘’Unë më herët kam bërë thirrje për me bashkëpunu dhe jam i interesuar për formimin e qeverisë e nëse ata kanë vendosur me përjashtu deputët e komuniteteve atëhërë kjo i bjen që Elberti so i interesuar me punu për të mirën e komunitetit egjiptian, nuk është i interesuar për bashkim forcash politike në një vend. Si oponentë politik ai punon që mu me m’pengu edhe mos mem lan me marr përgjegjësi’’, ka shtuar Berisha.

Berisha është pyetur edhe për formimin e qeverisë “Kurti 3”.

Në lidhje më këtë Berisha thotë se ka pasur takim me VV-në.

‘’Pas rezultateve të para kam pasur takim më zyrtarë  të lartë të VV-se ku kemi diskutuar për formimin e qeverisë, ndërsa tashti pas certifikimit të rezultateve pres me pas takim prapë që me shiku me bashkëpunu për interes të vendit’’, thotë Berisha.

Në zgjedhjet e 28 dhjetori Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane siguroi 1,252 Vota./Indeksonline/