75 Mall Live Search
09:15 / E Hënë, 15 Korrik 2019 / indeksADMonline

Grupi Parlamentar i LDK-së në Kuvendin e Kosovës publikon Buletinin për periudhën Janar – Qershor 2019

Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës kanë publikuar Buletinin e VII-të për periudhën Janar-Qershor 2019.

Në të cilin shkruhet:

Grupi Parlamentar i LDK-së, në angazhimet e veta në Kuvendin e Kosovës, ka treguar vendosmëri për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kushtetushmërinë dhe ligjshmërinë: Me një opozitarizëm të vendosur, në bashkëpunim me pjesën tjetër të opozitës, Grupi Parlamentar ka arritur të jetë efikas kundër veprimeve të dëmshme për shtetin të koalicionit qeverisës. Në disa legjislatura marrë së bashku, nuk ka pasur opozitarizëm kaq intenziv dhe të organizuar e konstitucional se sa gjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë LDK-së sa i përket qasjes që duhet të kenë institucionet në dialogun me Serbinë: Në mars të këtij viti, Grupi Parlamentar i LDK-së, në bashkëpunim me Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka proceduar në Gjykatën Kushtetuese lëndën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të “Projektligjit për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në Procesin e Dialogut me Republikën e Serbisë”. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë më 27.06.2019, i konfirmoi plotësisht të gjitha pretendimet e ngritura tona, mbi të gjitha se ky Projektligj është antikushtetues në tërësinë e tij. Ky vendim është plotësisht në linjë me qëndrimin e LDK-së se dialogu duhet të udhëhiqet vetëm nga institucionet legjitime sipas kompetencave kushtetuese.

Kuvendi i Kosovës po funksionon vetëm në seanca të jashtëzakonshme: Gjatë periudhës janar-qershor 2019, Kuvendi ka mbajtur 24 seanca, prej të cilave gjashtë të rregullta, tri solemne dhe pesëmbëdhjetë të jashtëzakonshme. Nga pesëmbëdhjetë seancat e jashtëzakonshme, shtatë kanë qenë të iniciuara nga Grupi Parlamentar i LDK-së. Në gjashtë seancat e rregullta, deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së kanë ngritur katër deklarime jashtë rendit të ditës dhe kanë parashtruar 40 pyetje parlamentare. Në shumicën e seancave, kryeministri dhe ministrat nuk kanë marrë pjesë për tu përgjigjur në pyetje.

Grupi Parlamentar LDK-së, vetëm ose në bashkëpunim me opozitën, ka parashtruar nëntë kërkesa për debate parlamentare lidhur me: (1) Bllokimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Presidenti, (2) Vendimet e Qeverisë për ndarjen e mjeteve nga shpenzimet e paparashikuara, (3) Përgjegjësitë e institucioneve përkatëse në rastin e ngacmimit, përdhunimit dhe abortit të një qytetareje të mitur, (4) Pezullimi i aktivitetit të bizneseve të lojërave të fatit dhe plotësim-ndryshimi i ligjit përkatës, (5) Zbrazja e vendit nga të rinjtë, si rreziku më i madh për vendin, (6) Gjendja në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarr Qeveria e Kosovës sipas Rezolutës nr. 06-R-013, 12.07.2018, (7) Shqyrtimi i Raportit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me rastin e dëbimit e shtetasve turq, (8) Gjendja në arsim dhe vendimet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe (9) Heqja e monopolit në homologimin e veturave.

Komisioni për Buxhet dhe Financa, i cili udhëhiqet nga z. Lumir Abdixhiku, ka mbajtur 14 takime. Ndër çështjet kryesore të shqyrtuara janë: Projektligji për Buxhetin e vitit 2019, Projektligji për pagat në sektorin publik, Projektligji për financimin e partive politike, Projektligji për ndalimin e lojërave të fatit, Raporti i shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për vitin 2018, Raporti vjetor i Organit Shqyrtues të Prokurimit për 2018 etj.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, i udhëhequr nga znj. Vjosa Osmani Sadriu, ka mbajtur 11 takime. Gjatë këtyre takimeve janë shqyrtuar projektligje të rëndësisë së veçantë, siç janë Projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, Platforma për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Projektligji për diasporën si dhe Projektligji për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Komisioni gjithashtu ka vazhduar të trajtojë problemet e shërbimit të jashtëm të Republikës së Kosovës, si dhe temat që lidhen me diasporën dhe investimet strategjike.

Komisioni për Mbikëqyrje të Financave Publike, i udhëhequr nga z. Driton Selmanaj, gjatë kësaj periudhe ka mbajtur 9 takime, në të cilat ndër të tjera janë shqyrtuar: Raporti i Auditimit për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin e Borxheve Publike për periudhën 2009-2017, Raporti i Auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Zyrës së Kryeministrit për 2018, ndarja e mjeteve nga programi i shpenzimeve të paparashikuara, mbikëqyrja e Ligjit për Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike etj.

Komisionet hetimore: Me iniciativë të Grupit Parlamentar të LDK-së, Kuvendi ka themeluar dy Komisioneve Hetimore Parlamentare për të hetuar: (i) rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq më datë 29 mars 2018 dhe (ii) shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës. Në të dyja rastet, tashmë përmes raporteve të miratuara nga Komisionet përkatëse, është dëshmuar me fakte se janë shkelur Kushtetuta dhe ligjet në fuqi. Në çështjen e parë është faktuar se nuk janë respektuar të drejtat e njeriut pasi janë tejkaluar procedurat ligjore që duhet të ndiqen në raste të tilla. Ndërkaq, në çështjen e shpenzimeve për lobim është evident shpërdorimi i parasë publike duke shpenzuar për qëllime private.

Gjatë kësaj periudhe, Grupi Parlamentar i LDK-së ka mbajtur 16 takime të rregullta të Grupit Parlamentar, ku janë shqyrtuar: agjenda e seancave plenare, qëndrimet e Grupit Parlamentar lidhur me çështjet e shqyrtuara në Komisione Parlamentare, qëndrimet politike që ka mbajtur Grupi Parlamentar për çështjet e ndjeshme politike me të cilat është përballur Kuvendi, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe çështje të tjera. Deputetët kanë qenë prezent në media për të paraqitur qëndrimet e Grupit Parlamentar, si dhe të LDK-së, lidhur me çështjet në diskutim në Kuvendin e Kosovës. Në funksion të kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së ka mbajtur 12 konferenca për medie.