18:08 / E Premte, 22 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Grupi për Balkan jep vlerësimin për 100 diteshin e Qeverise Haradinaj

Qeveria e Kosovës mbushi 100-ditëshin e parë me 19 dhjetor – ndërsa të dytin për Ramush Hardinaj si kryeministër. Trembdhjetë vjet më parë, Haradinaj dha dorëheqje ende pa mbushur 100 ditë (në ditën e 96 të qeverisjes së tij) pas thirrjes dhe fletë-arrestit nga Tribunali i Hagës. Në atë kohë, ai erdhi kryeministër pas një periudhe të vështirë dhe në një kontekst të ndjeshëm politik pas trazirave të 2004-tës, periudhë kjo e përshkruar me marrëdhëniet e tensionuara mes partive politike dhe me administratën e OKB-së, UNMIK-un. Këtë mandat, Haradinajn e gjen si kryeministër i shtetit të pavarur të Kosovës, si bartës i përgjegjësisë për shtet-ndërtimin dhe konsolidimin e saj.

Për dallim nga qeverisja e Isa Mustafës, e orientuar në politika planifikuese më afatgjate por më e ngadaltë në vendim-marrje, fillimi i mandatit të dytë të Haradinajt është karakterizuar me një mobilizim të lartë të institucioneve dhe zyrtarëve si dhe me një dinamikë të shtuar të aktiviteteve dhe vendimeve të shpejta. Ashtu sikur paraardhësi i tij, Haradinaj u përball me fenomene të ngjashme pas formimit të qeverisë, provokimi i ekzodit të qytetarëve drejt Evropës dhe me kërkesa për shkarkimin e ministrit serb, Nenad Rikalo i cili u akuzua për përfshirje në krime ndaj shqiptarëve në vitin 1999. Në vitin 2015 pak ditë pas formimit të qeverisë së Isa Mustafës, një ekzod i madh i qytetarëve filloi drejt Evropës. Shumë pak kohë pas kësaj, në muajt e parë të qeverisjes të tij, mbi 100,000 mijë qytetarë u larguan nga vendi.

Për më tepër, opozita e atëhershme organizoi protesa masive kundër ish vartësit të Mustafës, Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jablanović si rezultat i deklaratave të tij fyese ndaj nënave të Gjakovës. Pas disa protestave, Kryeminstri Mustafa e shkarkoi atë. Tashmë, disa mësime nga ajo periudhë ishin nxjerrë. Qeveria e tanishme dhe policia reaguan shpejt për ta ndalur ekzodin, ndërsa prokuroria speciale hetoi të kaluarën e ministrit Rikalo, për të cilin nuk gjeti dëshmi për përfshirje në krime lufte. Procesi i formimit të qeverisë, formula e koalicionit me 5 parti parlamentare dhe 17 të vogla (të pavërejtura), agjendat kontradiktore mes partnerëve qeverisës dhe marrëdheniet e tensionuara me opozitën nuk ofrojnë kushte të favorshme për qeverinë e Haradinajt.

Vetëm pak ditë pas formimit të qeverisë, fushata për zgjedhje lokale filloi. Procesi i stërzgjatur i zgjedhjeve lokale, pasivizoi parlamentin dhe shumë ministra u angazhuan në fushatë. Me mbingarkimin e kabinetit qeveritar, Haradinaj ka thelluar edhe më tej një praktikë të keqe të instaluar të strukturës së qeverisjes. Si rezultat i koalicionit, qeveria Haradinaj ka emëruar jo më pak se 68 zv.ministra, 4-5 për çdo ministri. Ky veprim ka irrituar tejmase opinionin duke dëmtuar imazhin e qeverisë. Opozita ironizon duke deklaruar se emërimi i një numri rekord të zv.ministrave është suksesi i vetëm i qeverisë në këto 100 ditë. Ashtu siç kishte paralajmëruar, në ditën e parë të punës së tij, Haradinaj shkarkoi komisionin për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror. Qeveria emëroi një komision të ri me përbërje nga anëtarë që kishin qëndrime të njëjta me të. Komisioni i ri, siç pritej, vërtetoi pretendimet e Ramush Haradinajt si opozitar, që me marrëveshjen e gushtit 2015, Kosova me versionin e deritanishëm kishte humbur territor.

Pas miratimit të këtij raporti, Haradinaj mori një vendim, për shumë kë befasues, duke proceduar në Kuvend, marrëveshjen të cilën për shumë kohë e kishte kundërshtuar. Krahas marrëveshjes, ai dërgoi në Kuvend edhe raportin e komisionit të ri. Ky veprim është parë si një lëvizje e kryeministrit për ta delegjitimuar këtë marrëveshje në Kuvend. Në anën tjetër, qëndrimet kundërthënëse për demarkacionin, ndërmjet partnerëve të koalicionit PDK-AAK-NISMA dhe AKR, kanë shtuar zërat se kjo çështje mund të rrezikojë qëndrueshmërinë e qeverisë. Paradoksalisht, Haradinaj aleatin kryesor për këtë çështje e gjen tek partneri i dikurshëm opozitar dhe opozita e tij e tanishme – Lëvizja Vetëvendosje.

Gjatë kësaj periudhe, takimet e Këshillit Ministror për integrime evropiane janë shpeshtuar; Haradinaj ka kërkuar që të ndëshkohen të gjithë ata që nuk e përfillin agjendën për reforma evropiane. Kryeministri ka mobilizuar strukturat e qeverisë dhe ministrive përkatëse për zbatimin e agjendës për reforma evropiane. Poashtu, qeveria lansoi programin e reformave ekonomike dhe përshpejtimin e dinamikës për zbatim të MSA-së.

Qeveria premtoi mbështetje për reformën e administratës publike dhe mbështeti një marrëveshje për rekrutimin transparent të zyrtarëve të lartë dhe anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve dhe të agjencive të pavarura. Qeveria Haradinaj nuk ka paraqitur ndonjë plan apo politikë konkrete sa i përket politikës së jashtme. Në mesin e nëntorit, Haradinaj udhëtoi për në Bruksel për takimin e parë me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Takimi i parë nuk shkoi edhe aq mirë. Konferenca e përbashkët pas tryezës së MSA-së u anulua. Atmosfera e takimit të Këshillit të MSA-së mes Kosovës dhe BE-së është raportuar me tensione; Haradinaj ka insistuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mogherini këtë e ka kuptuar tepër personalisht dhe ka lëshuar takimin. Më 18 dhjetor, Haradinaj udhëtoi sërish për në Bruksel ku mori pjesë në një takim joformal me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë takim të ftuar nga shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, Haradinaj tha se bisedoi edhe për liberalizimin e vizave.

Për qeverinë Haradinaj, sfidë u bë edhe miratimi i buxhetit për vitin 2018. Projekt buxheti parasheh një rritje të konsiderueshme të financave në sektorin e drejtësisë. Ndarja e buxhetit për disa projekte tjera nuk u prit mirë nga opozita dhe opinioni, psh. kosto e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Gjilan-Konҫul dhe probleme të vazhdueshme me financimin për veteranët. Procesi i miratimit të buxhetit shpërfaqë me saktësi brishtësinë e koalicionit qeverisës.

Qeveria e re dështoi t’i mbetet besnike zotimeve të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Programi me FMN-në, edhe pse i skaduar, kishte paraparë një sërë reformash dhe programesh të cilat qeveria ishte zotuar t’i implementojë. Në fakt qeveria e kaluar veç kishte filluar implementimin dhe si rezulat kishte pranuar nga FMN-ja një mbështetje prej 185 milion euro. Nëse implementimi nuk ndodhë, qeveria e Haradinaj do të ketë telashe për të negociuar një marrëveshje të re me FMN-në.

Rishtazi, qeveria përmbylli procesin e ndërtimit të termocentralit “Kosova e Re”, pas marrëveshjes me kompaninë amerikane ContourGlobal. Edhe kjo kontratë kishte mbetur gjatë në sirtarët e qeverisë së kaluar. Vlera e këtij investimi është rreth 1 miliardë e 300 milion euro dhe mund të jetë i nevojshëm për vendin për të mbushur boshllëkun në furnizim me energji elektrike. Kjo marrëveshje është mirëpritur në masë të madhe nga qyetatarët.

Megjithatë, e njëjta është parë me skepticizëm nga shoqëria civile dhe një pjesë e opozitës duke parë këtë marrëveshje si të dëmshme edhe në aspektin mjedisor dhe social. Arritja e kësaj marrëveshje ka ngritur shqetësime për rritjen e çmimit të rrymës ku qytetarë të shumtë kanë paralajmëruar protesta, të cilat vec kanë filluar.

Ndërtimi i termocentralit pritet të polarizojë skenën politike. Ish kandidati për Kryeministër, Albin Kurti i Vetëvendosjes, ka paralajmëruar se “sjellja në Kuvend e Kosovës C […] do të hasë në rezistencë opozitare si asnjëherë më parë”. Kosova vazhdon të përballet me krizë energjetike. Në fillim të shtatorit, qeveria e re u përball me krizën e radhës për shkak të shpenzimit të rezervave të qymyrit, si dhe mospajtimeve dhe vonesave disa vjeçare në programin e zhvendosjes së banorëve të fshatrave Shipitullë dhe Hadë.

Në ditët e para, Haradinaj arriti një marrëveshje për shpronësimin e banorëve të këtyre fshatërave. Pak muaj më vonë ai detyroi banorët edhe menaxhmetin e KEK-ut për përmbylljen e marrëveshjeve për dislokim të banorëve. Deri tani, me përjashtim të marrëveshjes për Kosovën C, Qeveria Haradinaj nuk ndërmori vendime të mëdha. Në këto 100 ditë, Haradinaj u përqëndrua, siç tha, në vendosjen e një rendi brenda qeverisë. Poashtu, qeveria morri veprime për zgjidhjen e shumë temave të cilat kishin mbetur gjatë në sirtarët e qeverive të kaluara: Miratimi i ligjit për Prishtinën; vendim ky i shumëpritur i cili i dha fund zvarritjeve disavjeçare të këtij procesi.

  • Procedura që Pallati i Rinisë t’i takojë komunës së Prishtinës kërkesë kjo e kahmotshme, është përfunduar.
  • Ripërtritja e marrëveshjes me qeverinë e Mbreterisë së Bashkuar për monitorim dhe këshillim në rekrutimin për pozita të larta menaxhuese të agjencive dhe ndërmarrjeve publike është nënshkruar. Ky veprim synon të sigurojë rekrutim të bazuar në merita, pa ndikime politike, dhe të bazuar në kualifikime profesionale.
  • Dhjetë drejtorë dhe anëtarë të bordeve të agjencive të pavarura të kompanive publike u shkarkuan. Agjencia Kundër Korrupcion (AKK-ja) pati gjetur se emrat ishin të angazhuar politikisht dhe në kundërshtim me ligjin. Qeveria e kaluar kishte ngurruar në zbatimin e këtij opinioni.
  • Qeveria e Kosovës ka filluar zbatimin e Ligjit për Personat e Dhunuar gjatë Luftës, ligj ky që kishte mbetur pa u zbatuar që nga viti 2014, dhe me vendim të veçantë, Qeveria ka vendosur që shuma e pensionit për personat e dhunuar gjatë Luftës së Kosovës të jetë 230 euro.
  • Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për lirinë fetare në Kosovë Qeveria ndërmorri edhe disa vendime të cilat në masë të madhe shihen si kontraverze: Falja e borxhit për të gjithë ambalazhuesit e ujit duke u thirrur në një nen të një udhëzimi administrativ për strukturën e pagesave të ujit, vendim ky i cili u pasua me një reagim të madh publik. Në anën tjetër, ndarja e 219 mije euro për familjarët e të dënuarve të rastit Kumanova uli tensionet, kënaqi sado pak familjarët e prekur por shkaktoi edhe reagime.

Po ashtu, me kërkesë të shefit të qeverisë, Ministria e Arsimit ka shkarkuar bordin e Agjencisë së Akreditimit. Shkarkimi i papritur i këtij komisioni dhe drejtorit të AKA-së, nxiti reagime të shumta në publik. Haradinaj ra në kurthin e premtimeve të fushatave zgjedhore, duke premtuar se lëvizja e lirë e qytetarëve do të ndodhë brenda 3 muajve të qeverisjës së tij.

Një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Mos zgjidhja e demarkacionit ka shtyer Haradinajn drejt intensifikimit të agjendës evropiane duke shtuar se zbatimi i MSA-së sjell liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat. Në ndërkohë, Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe vazhdon të mbetet temë për të cilën qeveria nuk ka dëshmuar interes dhe nuk ka ndërmarrë ndonje hap konkret drejt funksionalizimit të saj. Qeveria e re planifikoi në pakon legjislative që brenda 3 muajve të nxjerrë ligjin për transformimin e forcave të sigurisë.

Kjo gjë nuk ndodhi. Haradinaj u përball me kundërshtim të ngjashëm nga faktori ndërkombëtarë, ashtu siç ishte përballur Presidenti Thaçi në pranverë të këtij viti. Haradinaj paralajmëroi se kjo çështje do të shtyhet për një afat optimal duke thënë që janë në favor që, brenda muajve të ardhshëm, transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese. Procesi kërkon konsensus në mënyrën e transformimit por edhe në atë se çfarë ushtrie duhet të ketë Kosova. Një tjetër premtim për rifunksionalizimin e ‘Trepçës’ dhe gjetjes së zgjidhjes për pensionistët minatorë, brenda 90 ditëve të tij të qeverisjes, nuk u realizua. Një pasqyrë më e mirë e qeverisjes pritet të shihet në pranverë.

Tani mund të konstatohet se reputacioni i kryeministrit para dhe pas formimit të qeverisë ka ndryshuar dukshëm. Rezultatet e anketës së fundit të Pulsit Publik të UNDP-së tregojnë një rritje të kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Kryeministrit. Duke qenë në qeveri, AAK rriti fuqinë elektorale, nga tre komuna sa kishte, në zgjedhjet lokale të fundit AAK fitoi në shtatë komuna. Qeveria e Ramush Haradinajt po rri larg temave të komplikuara, e të cilat shumica prej tyre janë jo-popullore, siç është Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe apo transformimi i forcave të sigurisë së Kosovës në ushtri. Qeveria e tij vështirë se mund të fshihet pas këtyre temave sepse presioni do të jetë në të dy kahjet, në reformat e brendshme përkundër kontekstit të pafavorshëm, dhe në konsolidimin e një agjende të politikës së jashtme, në veçanti në çështjen e dialogut me Serbinë.

Për këtë të fundit, presioni do të vie nga partnerët qeverisës dhe nga faktori ndërkombëtar. Krahas temave të mëdha dhe të pa evitueshme, me urgjencë shihet adresimi i çështjeve të suspenduara tash e një kohë të gjatë, siç janë reformimi i administratës publike, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Me programin e reformave ekonomike dhe rritjen e buxhetit për drejtësinë, qeveria ka mundësuar rritjen e numrit të stafit për gjykatat dhe prokurorinë. Poashtu, qeveria po mbështetë rishikimin funksional të drejtësisë duke marrë rol udhëheqës vetë kryeministri.

Ministria e Drejtësisë ka proceduar disa ligje që pritet të rregullojnë çështjen e konfliktit të interesit tek zyrtarët publikë. Për të dëshmuar qellimin e tij për një “qeverisje ndryshe” kryeministri Haradinaj nuk ka edhe shumë kohë. Qeverisja e tij do të sfidohet vazhdimisht nga brenda koalicionit ashtu si edhe nga opozita e fuqishme, dhe vetëm përmes qeverisjes së mirë, sigurimit të liberalizimit të vizave me BE-në, dhe marrëdhënieve të përmirësuar me opozitën ai mund të përmbyllë këtë mandat qeverisës.