Grusht shteti në Mianmar: Një shtatë vjeçare e vrarë nga forcat e sigurisë

Një vajzë shtatë vjeçare është qëlluar për vdekje nga forcat e sigurisë në Mianmar, duke u bërë viktima më e re e njohur pas grusht shtetit ushtarak të muajit të kaluar, thonë banorët lokalë, shkruan BBC, transmeton IndeksOnline.
Anëtarët e familjes thanë se vajza u vra në shtëpinë e saj në qytetin e Mandalay.
Myanmar është përfshirë nga protestat që kur ushtria mori kontrollin në 1 shkurt.
Grupi i të Drejtave “Save the Children” thotë se më shumë se 20 fëmijë janë në mesin e dhjetra njerëzve që janë vrarë.
Në total, ushtria thotë se 164 njerëz janë vrarë në protesta, ndërsa grupi aktivist i Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) vë numrin e të vdekurve të paktën 261.
Ushtria më herët të martën shprehu trishtim për vdekjen e protestuesve, por i fajësoi ata për sjelljen e anarkisë në vend. Një zëdhënës i ushtrisë tha se demonstruesit anti-grusht shteti ishin përgjegjës për akte dhune dhe zjarrvënie./IndeksOnline/