13:44 / E Diele, 15 Maj 2022 / MSH

Guardia di Finanza patrullon veriun e Shqipërisë për drogë

Prej datës 1 maj, paralelisht me kontrollin në terren nga strukturat e Policisë së Shtetit, ka nisur monitorimi ajror nga GDF, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano, së bashku me ekipin e GDF-së, për 3 orë, monitoruan nga ajri, me helikopterë të pajisur me aparatura speciale, zonën veriore të vendit, shkruan abc.

Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike. Gjithashtu, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

Në përfundim të monitorimit, Drejtori i Përgjithshëm, Gledis Nano tha:

“Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit.

Dua t’i falenderoj kolegët e “Guardia di Finanza”, si ekuipazhin e helikopterit ashtu edhe kolegët e tjerë, që monitorojnë nga qendra e kontrollit të gjitha fluturimet dhe vendndodhjet e vendeve, të dyshuara si pjesë e kultivimit të kanabisit, janë një skuadër profesionistësh dhe për këtë unë falënderoj kolegët e Interforce, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane dhe Ministrinë e Brendshme italiane, e cila na ka ofruar këtë mundësi, për të lokalizuar me teknologjinë më të fundit që mjeti fluturues, helikopteri, që kemi pas shpine, mban me vete.”

Në anën tjetër, Kapiteni i GDF-së Sergio Angelucci u shpreh i lumtur për bashkëpunimin dhe vlerësimin e shtetit italian nga ana e Drejtorit të Policisë.

“Falënderoj Drejtorin për vlerësimin që shpreh për shtetin italian dhe për “Guardia di Finanza”-n. Ne sigurisht, garantojmë impenjim maksimal, me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, në territorin shqiptar” deklaroi Angelucci.

Monitorimi ajror nga GDF-ja dhe kontrollet intensive nga toka, me punonjës police dhe dronë që Policia e Shtetit ka në dispozicion do vijojnë në mënyrë të vazhdueshme, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.