Guardiola e pranon: Sane ka refuzuar rinovimin

Leroy Sane ka refuzuar përfundimisht ofertën e Manchester Cityt për të rinovuar kontratën dhe pikërisht për këtë arsye, trajneri i “citizens”, Pep Guardiola ka pranuar se sulmuesi i Kombëtares Gjermane mund të largohet këtë verë.
Kontrata e djaloshit gjerman me klubin nga Manchesteri përfundon verën e 2021-shit dhe drejtuesit e “Citizens” janë gati të negociojnë për shitjen e tij gjatë kësaj vere, për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.
“I kemi bërë 2-3 oferta për të rinovuar kontratën që i skadon verën e ardhshme, por ai ka refuzuar vazhdimisht. Nëse do të gjejmë akordin me ndonjë klub tjetër, Sane do të largohet që këtë verë, në të kundërt do të largohet verën e ardhshme kur t’i përfundojë kontrata”, deklaroi Guardiola.
Mesfushori 24-vjeçar u dëmtuar që verën e kaluar dhe gjatë këtij sezoni ka qëndruar në infermieri, por tani është rikthyer të stërvitet me grupin dhe është gati të ndihmojë Manchester Cityn në spritnin final të sezonit.
Sa i përket të ardhmes, për të ka një interes të fortë nga Bayerni i Mynihut, që duket se ka arritur edhe një marrëveshje me lojtarin, por akoma nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me Manchester Cityn, që kërkon të rikuperojë të paktën 52 milionë eurot që shpenzoi më 2016-ën për ta marrë nga Schalke 04.