20:32 / E Diele, 19 Gusht 2018 / indeksADMonline

Guardiola i kundërpërgjigjet Mourinhos pas kritikave të fundit për dokumentar

Pep Guardiola insiston se Manchester City nuk tregoi mungesë respekti në dokumentarin ”Gjithçka ose Asgjë” pas kritikave nga Jose Mourinho.

Në dokumentarin ku tregohen prapaskenat e sezonit triumfues për titull në Premier League të Cityt sezonin e kaluar, nxiti frustrimin e Mourinhos pasi e portretizoi Manchester United si skuadër defanzive dhe që ”parkon autobusin”.

Mourinho iu përgjigj këtyre etiketimeve duke thënë: ”Mund të bësh një film fantastik derisa respekton edhe të tjerët. Nuk keni nevojë të tregoni mungesë respekti për të pasur një film fantastik”.

”Mund të jeni klub i pasur dhe të bleni lojtarët më të mirë në botë, por nuk mund të bleni klasin dhe këtë e treguan ata qartazi, kjo ishte shumë e qartë.”

Mirëpo, duke folur në konferencë për shtyp pas fitores, 6-1 kundër Huddersfield, Guardiola mohoi akuzat e Mourinhos.

”Nuk mund të bleni klasin, pajtohem me Josen, nuk mund të blejmë klasin,” tha ai.

”Mendoj se ne përjetuam një sezon fantastik fushatën e kaluar, pati kamera, e bëmë për veten tonë.

”Nuk pajtohem me Jose në aspektin e mungesës së respektit. Ky nuk ishte qëllimi ynë. Ishte thjesht të filmonim çfarë ndodhi sezonin e kaluar. Është një klub që u mundua të rritet, të fitojë titull, si gjithë klubet e tjera në botë dhe ne e bëmë për veten tonë, për fansat tonë të shihnin çfarë ndodhi brenda zhveshtores.

”Por është mendimi i Joses, të tjerët do të thonë se ne e pëlqejmë, dikush tjetër thotë: ‘Jo, është thjesht kështu’. Por, natyrisht, pajtohem me të – klasi nuk mund të blihet.”./IndeksOnline/