75 Mall Live Search
18:00 / E Martë, 08 Mars 2022 / AR

Guardiola tejet i zemëruar me Walker

Trajneri spanjoll Pep Guardiola është ende tejet i zemëruar me mbrojtësin e krahut të djathtë Kyle Walker për suspendimin e tij prej tre ndeshjeve në Ligën e Kampionëve.

Walker u ndëshkua me karton të kuq pas një ndërhyrje në minutën e 82’ ndaj Andre Silvas në ndeshjen e fazës së grupeve kundër RB Leipzig, në të cilën City veçse kishte siguruar kualifikimin tutje, përcjell KosovaPress.

City kishe apeluar për kundërshtim ndaj suspendimit të mbrojtësit anglez, por që ky apel ishte kundërshtuar, ku ishte vendosur që Walker të mungojë në dy ndeshjet e eliminatoreve, dhe ndeshjen e parë të fazës së çerekfinales së Ligës së Kampionëve.

Ndërkaq, Walker nuk do të jetë mungesa e vetme e Cityt për ndeshjen e kthimit kundër Sporting, ku kampioni anglez do të jetë edhe pa shërbimet e Ruben Dias, Nathan Ake dhe Joao Cancelos.

Tani, Walker është paraqitur problem për Guardiolan, i cili ende nuk di se cili lojtarë do ta mbulojë pozitën e krahut të djathtë në mbrojtje.

“Ai e meritoi. Kyle Walker i meritoi tre ndeshje dënim. Kur një lojtarë e bënë këtë gjë të pahijshme ai i meriton të tri ndeshjet mos-lojë, kërkoj falje. Nuk jam shumë i mirë në drejtim të Kyle në këtë lloj situate”, tha Guardiola.

“Jam ende tejet i nervozuar me të, tejet i nervozuar. Ai e di këtë gjë. Nuk është e nevojshme që ta diskutojë këtë gjë me të. Klubi kishte apeluar, unë nuk u pajtova me ta. Atyre iu desh ta bënin sepse në një rast të ngjashëm lojtari ishte suspenduar me vetë dy ndeshje. Sidoqoftë, shpresoj që të jetë mësim për të ardhmen”, shtoi trajneri i Cityt.

Nesër me fillim nga ora 21:00 kampioni anglez Manchester City do të zhvillojë ndeshjen e kthimit kundër skuadrës së Sporting Lisbonës, ku ndeshja e parë kishte përfunduar me rezultat 5:0 në favor të anglezëve, të vlefshme këto për fazën e eliminatoreve të Ligës së Kampionëve.