75 Mall Live Search
07:42 / E Premte, 01 Gusht 2025 / Z S

Gucati: Haxhiu të njoftojë institucionet e BE-së për veprimet e Speciales

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati ka thënë se provat e reja nga Gjykata Speciale të marra nga Serbia kundër ish-krerëve të UÇK-së është shqetësues.

Ai ka thënë se provat nga Serbia, sidomos nga MUPI serb që ka kryer krime në Kosovë janë të dënueshme.

Gucati ka thënë se për këtë duhet të reagojnë institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

“Shqetësues ky rasti i fundit, që Gjykata Speciale ka marrë prova të reja nga MUP-i serbë. Kjo është e papranueshme dhe e dënueshme. Tash po i del faqja e zezë Gjykatës Speciale sepse e ka zbuluar veten se janë duke bashkëpunuar me gjykatat serbe sidomos me armatën e Serbisë që ka bërë gjenocid në Kosovë. Është mirë që institucionet vendore dhe ndërkombëtare të marrin masa ndaj kësaj gjykate që t’i tërhiqet vërejta që kjo gjykatë të mos punojë me prova serbe”, ka thënë Gucati në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Ai ka komentuar edhe reagimin e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Sipas tij, reagimi ka qenë i vonuar duke kërkuar nga ajo që për veprimin e speciales të njoftohen edhe institucionet e BE-së.

“Reagimi i ministrisë i vonuar , duhet t’i dërgojë një notë verbale Gjykatës Speciale. Kjo gjykatë duhet t’ia jap llogari shtetit të Kosovës, sepse ajo është votuar nga deputetët e Kosovës. Kjo duhet tu dërgojë letër të gjitha shteteve të Evropës, apo Këshillit të Evropës me ju tregu se Gjykata Speciale është duke bashkëpunuar me gjykata serbe, me MUPI-in serb”, ka thënë ai.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për pranimin e disa dokumenteve në prova, me kërkesë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dokumentet e pranuara janë të ndara në tri ankese, e që në ankesin e fundit janë kryesisht dokumente që thuhet se janë marrë nga Shërbimi i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, Ministria e Brendshme e Serbisë dhe struktura të tjera të këtij shteti.