Gucati shkon për protestën në Shkup: Kemi kërkuar që në kufi të mos ketë lista serbe
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë bërë gjitha përgatitjet për të shkuar në protestën paqësore që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit, e ku kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati në një intervistë për Ekonomia Onlinen ka thënë se e kanë edhe lejën e shtetit të Maqedonisë së Veriut.
Gucati është shprehur shpresëdhënës se kufiri do të jetë i hapur, e për çka kanë kërkuar që aty të mos jenë kufitarët serbë.
“Jo nuk besoj se edhe ata janë të vetëdijshëm që paqja duhet të mbizotërojë gjithkund. Ata si maqedonasit e shqiptarët janë shtetformues. MV-ja varet nga shqiptarët, të dyja palët kanë formuar shtetin e Maqedonisë së Veriut, dhe nuk besoj që do të ketë as nga ana e tyre. Ata kanë marrë përsipër ta bëjnë sigurinë, por shpresoj që edhe kufiri do të jetë i hapur. Ashtu më kanë premtuar, kam pasë takime dhe telefonata. Kërkesa ime ka qenë që listat serbe të mos jetë në kufi të MV-së. Më kanë premtuar por nuk është për t’u besuar, sepse e dimë si është politika sllave. Por sidokudo na kanë premtuar se nuk do të ketë probleme. Unë kam bërë thirrje që jo me shku me autobus sepse kufiri mund të jetë i bllokuar mund të ketë vonesa, besoj që gjithë vijnë me makina e jo me atutobusë”, tha Gucati.
Gucati ka ironizuar me deklaratat e Hristijan Mickoskit, duke thënë se është falënderues meqë kështu do të rritet edhe numri i shqiptarëve që do të marrin pjesë në protestën ku do të bëjnë asgjë më shumë se thirrje për drejtësi ndaj clirimtarëve.
“Jam i bindur që do ta kalojmë perimetrin që kemi mëndu. Shqiptarët janë irritu pak, ama e falënderoj Mickoskin që i ka irritu dhe i ka shti për me dalë në protestë dhe e i them faleminderit që e ke bërë nj deklaratë kundër neve dhe tash shqiptarët pozitivisht do të dalin dhe do të na bashkohen”, deklaroi Gucati.
Gucati do të jetë pjesë e protestës, me ç’rast ka theksuar se atje nuk shkohet për të provokuar asnjë.
“Është e domosdoshme të shkojë, sepse unë me dalë me thirrë e mos me shku është një dobësi e madhe do të jem prezent në protestë bashkë me lider të ndryshëm edhe nga partitë shqiptare të Maqedonisë por besoj që edhe nga Kosova do të ketë, e edhe ish deputet nga Kuvendi i Kosovës. Dy leje i kemi. Një nga Çair dhe një nga ta. Aty është dashtë me ndërhy ndërkombëtarët sepse është hezituar në fillim, por leja është lëshuar , bile e kam edhe në telefon. Leja është për me u mbajt kjo protestë paqësore. Deklarata e Mickoskit është një deklaratë për arsye politike më shumë për vete, e dyta mendon t’i frikësoj njerëzit nga Kosova për të mos shkuar por jo, sepse është protestë popullore, qytetare, karakter kombëtarë dhe asgjë tjetër. Është protestë paqësore. Ne nuk shkojmë të provokojmë situata në asnjë vend, as në Holandë, as në Francë po as në Shqipëri e as në Maqedoni. Ne protestojmë aty sepse aty jetojnë shqiptarët në Maqedoni dhe shokët tonë e kolegët tanë e kanë ndi të nevojshme që të jetë edhe një protestë në Shkup, pikërisht në Shkupin e Hasan Prishtinës ku ne do të protestojmë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe nuk do të ketë asnjë ekses nga ana jonë”, tregoi Gucati.
Ai ka thënë se edhe këtë herë nuk mori asnjë mbështetje nga institucionet e shtetit të Kosovës.
“Ne nga institucionet e Kosovës nuk kemi përkrahje në asnjë protestë, e as në Prishtinë kur ka ndodhë. Partitë politike kanë dalë na kanë mbështetur nga partitë e ndryshme. Nga Qeveria e Shqipërisë e partitë e vogla edhe atje kemi atje në momente të fundit Sali Berisha na doli kundër e nuk e di pse”, tha ai.
Ndërkohë Gucati ka komentuar edhe lirimin me kusht të Isni Kilajt duke shpresuar se ky vendim do të jetë një reflektim i Gjykatës Speciale, e që ngjashëm të veprojë edhe me ish-krerët e UÇK-së.
“Neve na ka gëzua fakti i lirimit me kusht të Isni Kiljat. Po shpresoj që Gjykata ka fillu nga pak të i relaksojë raportet e veta, shpresojmë që edhe ata të lirohen, të paktën për festat e fundvitit e të bëhet me kusht deri sa të bëhet verdikti dhe besoj edhe që lirimi duhet të jetë lirimi”, tha ai.

