14:26 / E Enjte, 27 Shkurt 2020

Gucati: Vrasja e Qerim Kelmendit, mund të jetë kryer edhe nga sigurimet e huaja

Vrasje të dyfishtë të lirisë së popullit të Kosovës e ka quajtur kryetari i OVL-UÇK-së vrasjen e Qerim Kelmendit.

Ish-luftëtari i UÇK-së dyshohet se është vrarë e pastaj djegur mëngjesin e sotëm në Zahaq të Pejës.

Hysni Gucati kërkon nga institucionet e Kosovës që sa më shpejt të zbardhet ky rast, teksa shpreh dyshimet se vrasja mund të jetë kryer nga sigurimet e huaja.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për KosovaPressin thotë se ndihet i trishtuar nga ky lajm.

“Ne e kemi pritur shumë keq këtë vrasje, e cila na ka tronditur. Ne kemi reaguar dhe kemi kërkuar nga institucionet e Kosovës, drejtësia, policia dhe gjithë akterët në Kosovë që sa më shpejt të zbulohet ky akt makabër. Në vendet demokratike kur vritet një veteran i Ushtrisë Çliri mtare të Kosovës, vritet edhe liria e atij populli. Se po të mos ishte lufta e UÇK-së, mos të ishin këta djem që e kanë udhëhequr luftën si Qerim Kelmendi, edhe shumë shokë të tij në krye me komandantin Adem Jasharin, ne sot nuk do të ishim këtu”, tha Gucati.

Vrasja e Qerim Kelmendit, është konfirmuar sot edhe nga vëllai i tij Ibrahimi, i cili kishte shkruar në Facebook: “Festoni rugovistë “pacifistë” – dorë e zgjatur vrastare e Serbisë! Mallkimi dhe turpi ju mbulofshin!” Mirëpo, ky shkrim më pastaj ishte fshirë nga Kelmendi.

Vrasja e pastaj djegia e ish-luftëtarit të UÇK-së, për Gucatin është vrasje e dyfishtë e lirisë. Ai deklaron se nga paslufta janë vrarë mbi 160 ish-luftëtarë të UÇK-së. Për këtë të fundit, Qerim Kelmendin, beson se kanë dorë sigurimet e huaja.

“Unë besoj se këtu mund të kenë dorë sigu rimet e huaja, sidomos sigurimi i Serbisë. Unë nuk isha lëshuar në këto deklarata, sepse jam kryetar i veteranëve, nuk bën të lëshohem në komunikata të kujtdo…Ne si organizatë e luftës, pa dallim kush e ka kryer aktin, e dënojmë dhe është mirë që drejtësia sa më shpejt të zbardhë rastin. Në këto momente duhet të ruhet qetësia dhe të mos bëjmë propaganda të tilla, pasi nuk kemi nevojë të bëjmë amulli dhe të qesim krande në zjarr”, tha Gucati.

Për këtë vrasje gjatë ditës kishte reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Kreu i shtetit ka thënë se vrasja është tronditëse, ndërsa u ka bërë thirrje institucioneve që të zbardhin rastin. Për këtë edhe ka siguruar se do t’i përdorin të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për të zbardhur këtë vrasje mizore.

“Vrasja tinëzare e Qerim Kelmendit, njërit prej luftëtarëve më të hershëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte tronditëse për mua dhe të gjithë qytetarët e Kosovës. I bëj thirrje urgjente institucioneve të rendit dhe ligjit, që ta zbardhin këtë vrasje të tmerrshme sa më shpejt që është e mundur dhe kryesit e saj të vendosën para drejtësisë. Familjes Kelmendi dhe gjithë bashkëluftëtarëve të Qerimit u shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta, duke i siguruar se do t’i përdorim të gjithë mekanizmat ligjorë të shtetit për ta zbardhur këtë vrasje mizore”, shkruan presidenti Thaçi.

Qerim Kelmendi ishte anëtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës (LPK), dega brenda Kosovës dhe së bashku me vëllain e tij, Ibrahimin ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës qysh në fillimet e saj. Madje, Qerimi kishte thënë se ishte plagosur në gusht të vitit 1996, duke qenë kështu i plagosuri i parë i UÇK-së.