Guerot për propagandën me fotot e FSK-së në veri: KFOR-i meriton respektin e të gjithëve

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka dalë më një reagim lidhur me operacionin e kërkimit, ku u përfshi edhe FSK’ja, në Liqenin e Ujmanit për trupin e mërgimtarit 33-vjeçar, që dyshohet se ka kërcyer nga ura e liqenit dy ditë më parë.
Guerot ka shprehur mbështetjen e tij për KFOR’in, teksa tha se do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetjen e nevojshme “në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, duke aluduar për publikimin e fotografisë nga VV ku shiheshin automjetet e FSK’së duke shkuar në Veri pa KFOR’in.
“Franca mbështet plotësisht KFOR-in dhe Komandantin e tij. Që nga krijimi i tij, KFOR-i ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të pazëvendësueshëm në sigurimin e sigurisë për të gjithë. Ai meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjithë aktorëve në rajon. Franca do të vazhdojë t’i ofrojë misionit gjithë mbështetjen e nevojshme në një kontekst ku dezinformimi dhe manipulimi i informacionit po bëhen sistematike”, ka shkruar Guerot.
Me reagim për këtë çështje doli edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë, e cila shprehu shqetësim, për siç tha, përpjekjet për politizim, duke theksuar se shkuarja e ekipit të FSK’së atje, u aprovua nga Komandanti i KFOR’it ekskluzivisht për qëllime humanitare.
Sipas Ambasadës, deklaratat që e paraqitën këtë mision si “operacioni i parë i FSK’së në veriun e Kosovës”, e keqinterpretojnë qëllimin dhe frymën e këtij angazhimi.
“Po aq shqetësuese janë edhe akuzat për manipulim me fotografi – konkretisht, heqja e elementëve të dukshëm të shoqërimit të KFOR-it – për të promovuar narrativë të rrejshme. Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e publikut dhe të heqin vëmendjen nga fokusi humanitar i misionit”, thuhet në reagim.
Ambasada ka thënë se vdekja e 33-vjeçarit duhet të jetë një moment zie kolektive, dhe jo një rast për përfitime politike